Foto: Denis Sllovinja / KALLXO.com

KFOR: Informacioni se forcat serbe janë parë në territorin e Kosovës nuk është i saktë

Misioni i NATO-s, KFOR ka demantuar raportimin se sot, më 17.02.2024, forcat serbe kanë hyrë në territorin e Kosovës.

Lajmi i referohej një prononcimi të një qytetari duke mos e cituar me emër, i cili sipas medias kishte thënë se ka parë forcat serbe në territor të Kosovës.

Madje, në lajm u bashkëngjit edhe një fotografi ku shihen edhe disa persona në uniformë.

Lidhur me këtë raportim, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR tha në një komunikatë për media se informacioni nuk është i saktë.

“KFOR dëshiron t’i përgjigjet një lajmi të publikuar  nga Indeksonline pasditen e sotme, i cili paraqet një njësi serbe duke drejtuar armët drejt civilëve në territorin e Kosovës. Ky informacion nuk është i saktë dhe nuk pasqyron atë që ka ndodhur në të vërtetë” – tha KFOR.

Tutje ky mision informoi se sot, 17.02.2024 në 14:45h, një njësi letoneze që i përkiste KFOR-it po përgatitej të fillonte një patrullë të planifikuar të sinkronizuar me Forcat e Armatosura Serbe, përgjatë të dy anëve të vijës kufitare administrative.

Sipas KFOR në kohën kur u bë fotografia në fjalë, personeli letonez po koordinohej me homologët e tyre serbë, të cilët ishin pozicionuar në anën e tyre të vijës kufitare administrative.

“Është e rëndësishme të theksohet se skuadra letoneze ishte pozicionuar më tej pas liderit të tyre, i cili ishte i përfshirë në koordinimin e aktiviteteve me Forcat e Armatosura Serbe” – thuhet në komunikatë të KFOR.

Tutje u tha se imazhi mund të ishte prerë për të përjashtuar pjesët që përshkruanin liderin letonez duke biseduar me udhëheqësin e SAF.

“Patrulla e sinkronizuar është kryer në mënyrë profesionale dhe në respekt të plotë të procedurave të përcaktuara mirë. KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij të OKB-së, duke ofruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme” – u tha tutje.

Kallxo.com ka dërguar pyetje edhe në adresë të Indeksonline. KALLXO.com ka tentuar të marr një përgjigje nga Indeksonline edhe përmes telefonit në dy numrat që figurojnë në faqen e tyre zyrtare. Në numrin e parë një person u përgjigjë duke thënë se nuk janë Indeksonline, por janë “Rent a car”, ndërsa në numrin e dytë nuk pati përgjigje, nuk u hap telefoni.

Lidhur me këtë KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, i cili gjithashtu ka thënë se diçka e tillë nuk ka ndodhur.

“Jo s’ka diçka, KFOR ka pas patrullim në atë zonë” – tha Hoxha.

Në anën tjetër zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani dha për KALLXO.com detaje shtesë për këtë rast.

Ai ka thënë se lidhur me informacionin e publikuar në disa media/portale, ku thuhej se një qytetar ka parë forcat serbe se kanë hyrë në territorin e Kosovës diku në zonën kufitare, në fshatin Bervenik të komunës së Podujevës, Policia e Kosovës menjëherë ka ndërmarrë veprime konkrete duke trajtuar këtë informacion.

“Bazuar në informacionet zyrtare bëhet fjalë për patrullime të përbashkëta, që KFOR me kontigjente të caktuara, realizon me autoritet policore serbe, ashtu siç realizon edhe patrullime të përbashkëta me njësitet relevante të Policisë së Kosovës” – tha Kelani.

Tutje zëdhënësi tha se Policia e Kosovës me njësitet relevante, përfshirë ato kufitare vazhdon patrullimet policore në ruajtje të rendit kushtetues, ofrim të siguris dhe parandalim të krimit trans kufitar.

Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha thotë se nuk janë parë forca serbe në territorin e Podujevës