Arkiv: KFOR-i

KFOR-i monitoron situatën në veri: Kjo rrezikon përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR ka deklaruar se është duke monitoruar nga afër situatën në komunat në veri të Kosovës, pas zhvillimet atje për shkak të hyrjes së kryetarëve të posazgjedhur në ndërtesat e komunave.

KFOR në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme për procesin e normalizimit dhe rrezikon përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve.

Gjithashtu, KFOR-i thotë se dënon me vendosmëri “këto akte të njëanshme” dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna që mund të kërcënojë sigurinë në Kosovë.

“KFOR-i është duke monitoruar nga afër situatën në Komunat në veri të Kosovës ku janë shkaktuar një sërë përplasjesh nga hyrja e dhunshme e kryetarëve të sapozgjedhur në ndërtesat e komunave. Kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme për procesin e normalizimit dhe rrezikon përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve”

“KFOR-i dënon me vendosmëri këto akte të njëanshme dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna që mund të kërcënojë sigurinë në Kosovë. Koordinimi midis të gjithë aktorëve është thelbësor për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm. Prioriteti i parë i KFOR-it mbetet sigurimi i një mjedisi të sigurt, në përputhje me mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Dialogu dhe diplomacia janë e vetmja rrugë drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në Kosovë”- ka thënë KFOR në një përgjigje për KALLXO.com

Dhjetëra qytetarë ishin dje mbledhur në tri komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës për të penguar hyrjen e kryetarëve të rinj në objektet komunale.

Në Leposaviq e Zvecan pati tensione ndërsa policia njoftoi se për të larguar turmën përdori edhe gazin lotsjellës.

Pesë policë gjatë ditës së djeshme kanë marrë lëndime të lehta trupore pas përballjes me turmën e qytetarëve që ishin mbledhur për të penguar hyrjen e kryetarëve të rinj nëpër komunat në veri të vendit.

Përveç të lënduarve, pati edhe dëmtime të veturave, të policisë e edhe të gazetarëve.

KALLXO.com gjatë ditës së djeshme ka raportuar në vazhdimësi për zhvillimet që ndodhën në atë zonë.

Krejt çka ndodhi dje në veri të Kosovës