Shtëpia e Bardhë - Foto: REL/Wikipedia Commons

Këshilltari i Trump: Mezi po pres t’i takoj liderët e Kosovës dhe Serbisë

Këshilltari për Siguri Kombëtare i Donald Trump, Robert O’Brien, ka deklaruar se mezi pret që t’i takojë ekipet e Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë.

Delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë do të takohen më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë për, siç është, të diskutuar për çështje ekonomike.

“Mezi po pres t’i takojë në shtëpinë e Bardhë Presidentin Vuçiq dhe Kryeministrin Hoti. Këto diskutime të rëndësishme do të avancojnë paqen përmes bashkëpunimit ekonomik. Angazhimi i të dy liderëve për dialog do të sjellë përfitime për Serbinë dhe Kosovën”, është shprehur O’Brien.

Nga Kosova ka udhëtuar delegacioni prej 8 personave, të udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti.

Partitë opozitare kanë refuzuar të marrin pjesë në këtë takim, ndonëse ishin ftuar nga kryeministri Hoti.

Takimi i parë në SHBA, i paraparë me 27 qershor, kishte dështuar për shkak të propozim-aktakuzës së Gjykatës Speciale ndaj presidentit Hashim Thaçi.