Këshilli Gjyqësor cakton Ushtruesin e Detyrës të administratorit të Gjykatës Supreme

Institucioni që siguron pavarësinë dhe paanësinë e sistemit gjyqësor në vend, Këshilli Gjyqësor ka mbajtur dje mbledhjen e 314-të, të udhëhequr kësaj radhe nga zëvendës kryesuesi Qerim Ademaj, ku ka trajtuar një varg çështjesh.

Në këtë takim i pranishëm nuk ishte kryesuesi i KGJK-së Albert Zogaj, i cili sipas përgjigjes së zyrës së informimit të këtij institucion ndodhet në një vizitë studimore në SHBA.

Pika e parë e rendit të ditës ishte caktimi i ushtruesit të detyrës së Administratorit të Gjykatës Supreme, pasi administratorja e deritashme, Ajna Gashi, zyrtarisht me datë 11 gusht ka dalë në pension.

Zëvendëskryesuesi Ademaj bëri të ditur se Kryetari i Gjykatës Supreme Fejzullah Rexhepi përmes e-mail-it ka propozuar që ushtruese detyre në këtë pozitë të jetë Vjollca Cenaj zyrtare e lartë ligjore në Supreme.

Rregullorja për Procedurën e Rekrutimit, Përzgjedhjes dhe Themelimit të Marrëdhënies të Punës të Administratorëve në Gjykata kërkon që në mungesë të administratorit të zgjedhet përkohësisht një zëvendësues nga Këshilli Gjyqësorë në bashkëpunim me kryetarin e Gjykatës dhe drejtorin e përgjithshëm të sekretariatit.

Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit konfirmoi se pajtimi për zgjedhjen e Cenajt në këtë pozitë mes tre palëve është arritur, rrjedhimisht propozimi mund të kaloj në votim.

Pas votimit zëvendëskryesuesi Ademi vërtetoi se shumica e nevojshme për të miratuar propozimin për Cenajn u arritë, dhe tashmë zyrtarisht nga data 31 gusht deri në një vendim të dytë e njëjta do të shërbej në pozitën e lartcekur.

Pika e dytë ishte shpallja e konkursit të brendshëm për administrator të Gjykatës Supreme.

Anëtarët me shumicë votash miratuan shpalljen e konkursit të brendshëm për pozitën e Administratorit të Gjykatës Supreme, me ç’rast themeluan komisionin për rekrutim të administratorit të Gjykatës Supreme si dhe themeluan komisionin për rishqyrtim të ankesave të kandidatëve.

Pjesë e komisionit për rekrutim me shumicë votash u zgjodhën gjyqtarja Teuta Ibrahimi, gjyqtarja Arjeta Sadiku dhe gjyqtari Fared Velia, kurse sipas rregullores pjesë e komisionit duhet të jetë edhe kryetari i Supremes Fejzullah Rexhepi dhe drejtorin i përgjithshëm i Sekretariatit, ndërsa kryetare e komisionit u zgjodh gjyqtarja Teuta Ibrahimi.

Pjesë e komisionit për rishqyrtim të ankesave të kandidatëve u zgjedhën: gjyqtari Avni Mehmeti, gjyqtari Zenel Leku. Gjyqtarja Nora Bllaca. Kryetari i këtij komision u zgjodh Avni Mehmeti.

Kryesuesi i mbledhjes Qerim Ademaj bëri të ditur se Njësia për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore të SKGJK ka njoftuar se gjatë muajit shtator pensionohen për shkak të arritjes së moshës 65 vjeçare: Gani Avdiu 14 Shtator, Danka Berisha 21 Shtator, Hasan Shala 26 Shtator, Sefer Gutaj 25 Shtator.

Dispozitat ligjore kërkojnë që me mbërritjen e këtij kushti ligjor KGJK-ja duhet të ja propozoj Presidentes së Kosovës Vjosa Osmanit pensionimin e të njëjtëve.

Sërish anëtarët e KGJK-së aprovuan vendimet për propozim të pensionimit të Gjyqtarëve për shkak të arritjes së moshës.