Kërkohet hetim për djegien e një ndërtese në zonën e mbrojtur të Prizrenit

Organizata “Ec ma ndryshe” ka reaguar ndaj djegies së një ndërtese të vjetër në qytetin e Prizrenit. Kjo organizatë kërkon që organet shtetërore të zbardhin rastin e djegies së ndërtesës së vjetër në Zonën e Dytë të Mbrojtjes.

“Prizreni gjatë fundjavës ka humbur edhe një ndërtesë të vjetër, si pasojë e djegies nga zjarri. Zyrtarët komunal kanë shprehur dyshimin që zjarri në këtë rast duket të jetë shkaktuar me qëllim, derisa Policia ka njoftuar se në rrethana të panjohura është djegur kjo ndërtesë dhe se rasti po hetohet”, thuhet në njoftimin e “Ec ma ndryshe”.

Sipas të dhënave nga terreni që “Ec ma ndryshe” posedon ndërtesa në fjalë daton nga fundi i dekadës së dytë të shek. XX-të.

“Ec ma ndryshe” shpreh shqetësimin lidhur me degradimin e shkatërrimin e vlerave të trashëgimisë kulturore në Prizren, dhe i bën thirrje organeve shtetërore që të zbardhin urgjentisht rastin e djegies së kësaj ndërtese të vjetër në Zonën e Dytë të Mbrojtjes.

“EC Ma Ndryshe konsideron se të gjitha organet përgjegjëse shtetërore, pa përjashtim, duhet të veprojnë me seriozitet të plotë për zbatim të legjislacionit për ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore në Prizren. Këtë qëndrim EC e ka paraqitur edhe në reagimin publik me 24 tetor 2019, pas zhvillimeve të atëhershme në këtë pjesë të qytetit”, thuhet në reagimin e “Ec ma ndryshe”.