Europa Nostra: Arsyet pse futëm Manastirin e Deçanit në mesin e 7 vendeve më të rrezikuara në Evropë janë ende të vlefshme

Një delegacion i përbërë nga përfaqësues të Europa Nostra dhe partneri i saj Instituti i Bankës Evropiane të Investimeve (EIBI) qëndroi në Kosovë javën e kaluar për një sërë vizitash me palët e interesuara, vendore dhe ndërkombëtare. Kjo vizitë u organizua, kryesisht, si vazhdim i përfshirjes së Manastirit të Deçanit (i cili u regjistrua në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik të UNESCO-s në vitin 2006) dhe në Listën e vitit 2021 në 7 vendet e trashëgimisë më të rrezikuar në Evropë.

Në një komunikatë për media bëhet e ditur se delegacioni i Europa Nostra/EIBI vizitoi vendet e trashëgimisë në vijim: Novobërdë, Manastirin Deçanit, qytetin historik të Prizrenit, duke përfshirë kinemanë e tij historike Kino Lumbardhi, dhe Kisha e Virgjëreshës së Shenjtë të Ljevishit, si dhe Manastirin e Graçanicës.

Tutje potencohet se delegacioni ka zhvilluar gjithashtu një sërë takimesh me përfaqësues të autoriteteve të Kosovës, përkatësisht me ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, si dhe me kryetarin e Komunës i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj; me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, përkatësisht peshkopin Teodosije nga Rashka-Prizren dhe atin Sava, igumen i Manastirit të Deçanit etj.

Çështja kryesore e diskutuar, me bashkëbisedues të ndryshëm, sipas Europa Nostra, ishte përfshirja e Manastirit Ortodoks të shekullit të 14-të Deçanit në listën e 7 vendeve më të rrezikuara në Evropë për vitin 2021 dhe opsionet për përmirësimin e situatës.

Në komunikatën për media theksohet se një vit pas publikimit të kësaj Liste, arsyet kryesore për përfshirjen e këtij vendi të Trashëgimisë Botërore në Rrezik edhe në listën e 7 më të rrezikuarve të Europa Nostra kanë mbetur të vlefshme.

Europa Nostra ka radhitur tre faktorë pse manastiri u përfshi në atë listë:

Së pari, ende nuk është rënë dakord nga të gjitha palët për një zgjidhje përfundimtare lidhur me pasojat e shkaktuara nga planet për rritjen e trafikut brenda dhe rreth Zonës së Veçantë Mbrojtëse të Manastirit të Deçanit, e as në lidhje me ndërhyrjet e tjera të paralajmëruara, siç është projekti buzë lumit, që mund të ndikojnë negativisht në mjedisin natyror të Manastirit i cili do të konsiderohet si pjesë përbërëse e vlerës së tij të jashtëzakonshme të trashëgimisë.

Së dyti, vendimi i vitit 2016 i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që konfirmon pronësinë e Manastirit të Deçanit në 24 hektarë tokë ende nuk është zbatuar përmes regjistrimit ligjor të tokës së Manastirit, gjë që cenon sundimin e ligjit dhe sigurinë juridike të këtij Manastiri me rrethinën e tij.

Së treti, për shkak të sfidave komplekse të sigurisë, Manastiri duhet të vazhdojë të ruhet 24/7 nga trupat e KFOR-it, siç ka konfirmuar edhe komandanti i KFOR-it. Manastiri i Deçanit herë pas here ballafaqohet edhe me përpjekje të pabaza për të rishikuar identitetin kulturor dhe historik të këtij objekti të trashëgimisë fetare, tendencë e cila nuk është në përputhje me parimet evropiane dhe ndërkombëtare të interpretimit të saktë historik dhe artistik të monumenteve historike dhe objekteve të trashëgimisë.

Sipas Europa Nostra, ministrat Aliu dhe Çeku ritheksuan kundërshtimin e fortë të Qeverisë së Kosovës për përfshirjen e Manastirit të Deçanit në Listën e 7 Vendeve më të Rrezikuara në Evropë për vitin 2021, të cilin ata e shohin si të dëmshme për reputacionin e Kosovës.

Sipas vlerësimeve të ministrave, kjo zonë e trashëgimisë nuk është e rrezikuar.

Sa i përket çështjes së trafikut,  Europa Nostra thekson se është inkurajuese që ministri Aliu prezantoi një plan të ri të Qeverisë së Kosovës për zgjidhjen e kësaj çështjeje, si pjesë e planifikimit më të gjerë hapësinor si dhe zhvillimit të qëndrueshëm dhe të gjelbër të Parkut Kombëtar të Bjeshkëve të Nemuna.

Është e rëndësishme që ky plan të diskutohet – si në nivel teknik ashtu edhe politik – në kuadër të Këshillit Zbatues dhe Monitorues të krijuar me Ligjin e Kosovës për Zonat e Veçanta të Mbrojtura.

Europa Nostra dhe Instituti i Bankës Evropiane të Investimeve do të prodhojë – në përputhje me procedurën standarde të Programit për 7 vendet më të rrezikuara një raport gjithëpërfshirës me një sërë rekomandimesh që do të bëhen publike në vjeshtë.