
Mediat
Kërkesa e ZRRE-së për takim pa kamera, reagon AGK
Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) ftoi mediat sot më 07.04.2025, në një takim për të diskutuar lidhur shtrenjtimin e rrymës.
Takimi ishte paraparë të niste në ora 10:00 por vetëm pas më shumë se 30 minutave takimi filloi. Zyrtarët e ZRRE-së kërkuan që takimi mos të filmohej nga kamerat.
Por, gazetarët e pranishëm e refuzuan kërkesën e institucionit që bën rregullimin e tarifave të energjisë elektrike në vend.
Ndaj kësaj ngjarje ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
“Javën e kaluar, ZRRE-ja kishte ftuar vetëm gazetarët në një “takim konsultues”, pa praninë e kamerave dhe të mediave, për të diskutuar rreth rritjes së mundshme të çmimit të energjisë elektrike. Sot, gazetarët kanë refuzuar të marrin pjesë në takim pa praninë e kamerave. AGK-ja e përshëndet këtë veprim të gazetarëve, i cili përveçse shpreh solidaritet, mbi të gjitha kërkon transparencë dhe llogaridhënie nga një institucion publik” – thuhet në reagimin e AGK-së.
“AGK-ja e fton ZRRE-në që të sigurojë publikimin dhe hapjen e të gjitha diskutimeve që çojnë në marrjen e një vendimi përfundimtar, në mënyrë që qytetarët të informohen në mënyrë të plotë për një vendim kaq të rëndësishëm për interesin publik” – thuhet më tej në reagimin.
Pas disa diskutimeve, Petrit Pepaj, drejtor menaxhues në ZRRE konfirmoi që takimi mund të vazhdojë edhe me xhirime.
Në takim ishte planifikuar që të flisnin anëtarët e bordit të ZRRE, por ata nuk janë paraqitur pas kërkesës së gazetarëve për xhirmin e takimit.
“ZRRE nuk ka qëllim asgjë me fsheh, roli i mediave është i rëndeshëm në veçanti kur bëhet fjalë për një sektor kaq të rëndësishëm. Angazhimi ynë është i pandërprerë me media” – tha Pepaj para gazetarëve.
Të shtunën e 05.04.2025 u mbajt një protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.
Protesta, e thirrur nga iniciatiava qytetare “Asnji cent ma shumë”, ka mbledhur një numër të madh qytetarësh.
“Ndal varfërimit të qytetarëve!”, “S’ka dritë me padrejtësi”, “Qeveri, a je me qytetarët apo me monopolin?”… shkruante në pankartat që mbanin në duar protestuesit.
“Jo më padrejtësi në emër të energjisë Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) ka njoftuar më 14.03.2025 për propozimin për shtrenjtimin e rrymës për 15% në Kosovë, pas dorëzimit të raporteve të Kompanive KOSTT, KEDS dhe KESCO, në lidhje me të hyrat maksimale të lejuara.
Rritja e çmimit të energjisë elektrike është kundërshtuar nga shoqëria civile në Kosovë, si nisma “Asnjë cent më shumë”, partitë politike si LDK, AAK dhe PDK.
Po ashtu, edhe Presidenca e Kosovës më 28.03.2025 përmes një komunikate për media, ka kundërshtuar propozimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, nën arsyetimin se ky propozim është në kundërshtim me kornizën ligjore, që e obligon Zyrën e Rregullatorit Ekonomik (ZRRE) të përkujdeset për mbrojtjen e konsumatorit dhe injoron situatën ekonomike dhe aspektin e mirëqenies në vend.
Kurse, Ministria e Ekonomisë ka propozuar që rritja e çmimit të rrymës të mos prekë amvisëritë që konsumojnë më pak se 800 kwh.