KEDS ndërpret punimet në rrjet deri më 5 janar

Kompania për distribuimin e energjisë elektrike në Kosovë, KEDS, është duke bërë punime në rrjetin e vjetruar që nga viti 2013, por, këtë vit ka pasur reduktime të shumta, në baza ditore në rajone të shumta të Kosovës.

Si shkak i këtyre punimeve, disa vende kanë mbetur pa energji elektrike deri në 12 orë.

Nga të dhënat në faqen zyrtare të KEDS, bëhet e ditur se nuk ka punime të planifikuara deri më 5 janar 2021, të cilat fillojnë në rajonin e Ferizajt.

Kurse, në rajonin e Prishtinës nuk do ketë punime deri më 6 janar.

KEDS ka sqaruar se një pjesë e madhe e reduktimeve po vijnë edhe si shkak i dëmeve nga kushtet atmosferike, me theks të veçantë, në rajonin e Dukagjinit.