KDI: Grupet e interesit po dirigjojnë hartimin e ligjeve, qeveria të hartojë ligjin për lobim

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) përmes një konference për media ka shpalosur gjetjet mbi ndikimin e grupeve të ndryshme të interesit në procesin legjislativ dhe rrugët që duhet ndjekur për ta parandaluar këtë.

Arben Kelmendi nga KDI tha se në raportin që kanë hartuar, pandëshkueshmëria e rasteve të korrupsionit dhe legjislacioni i porositur e mundësojnë kapjen e shtetit.

“Kemi analizuar dy shtylla që mundësojnë kapjen e shtetit. E para është pandëshkueshme ia e rasteve të mëdha të korrupsionit ose raste ku janë të përfshirë zyrtarë të profilit të lartë.  Shtylla e dytë është një fenomen që po ndodhë në Kosovë, por që nuk është studiuar me herët, kjo është legjislacioni i porositur nga individë apo grupe me pushtet, legjislacion ky që nuk reflekton interesin e publikut kosovar”, tha Kelmendi.

Kelmendi theksoi se rekomandimi i tyre për qeverinë është që në vitin 2022 të fus në agjendë edhe përpilimin e projektligjit për rregullimin e aktiviteteve lobiste në Kosovë.

“Ne konsiderojmë se, nëse këto aktivitete nuk rregullohen me ligj dhe nuk ka transparencë dhe llogaridhënie të mjaftueshme mund të dëmtohet demokracia, në Kosovë duhet të rregullohen aktivitetet lobiste”, tha ai.

Si rezultat i punës tre vjeçare Kelmendi potencoi se kanë dal me raport për fenomenet e lartpërmendura.

“Si rezultat i një pune tre vjeçare ne kemi dal me një raport të quajtur “Kultura e pandëshkueshmërisë në Kosovë” si dhe një publikim të shkurtë me emrin “Legjislacioni i porositur” .