Tri Ministritë e Mbyllura ndaj Publikut

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në matjen e transparencës qeveritare kundër korrupsionit ka ardhur në përfundim se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim nuk u janë përgjigjur kërkesave për qasje në dokumente publike.

Qasja në dokumente publike, transparenca buxhetore, transparenca në prokurim dhe transparenca në ankande publike e kabinetit qeveritar janë 4 shtyllat e raportit të KDI-së të publikuar sot.

Raporti i KDI-së ka matur kërkesën për qasje në dokumente publike që nga viti 2014, duke vërejtur se ka rritje të numrit të kërkesave për 30 %, në vitin 2015, ku vetëm për qasje në dokumente për prokurim publik numri i kërkesave ka shënuar ngritje për 26%.

Raporti përmban të dhëna për 19 ministri dhe Zyrën e Kryeministrit, duke treguar se sa janë këto institucione të hapura ndaj publikut.

Visar Sutaj nga KDI-ja tha se raportet e këtij instituti i bëjnë më të përgjegjshme dhe më të besueshme institucionet.

“Sa më e fuqishme të jetë llogaridhënia, aq më i fuqishëm do të jetë integriteti i institucioneve tona, mbi të gjitha besushmëria e qytetarit do të kthehet në mënyrë që buxheti të menaxhohet më mirë nga qeveria. Në këtë formë ne edhe mund të ndikojmë në zhvillimin ekonomik duke evituar keqmenaxhimin e parasë publike,”tha Sutaj.

Burim Ejupi nga Instituti për Politika Zhvillimore INDEP deklaroi se raportet e tilla janë ndihmesë bazë për luftimin e korrupsionit.

“Ndoshta këto raporte në dukje nuk mund ta luftojnë korrupsionin, por janë një bazë së bashku me aktorët tjerë, me shoqërinë civile dhe mediat ku do të shërbejnë që ato organizata që luftojnë korrupsionin ta kenë një bazë si me ia nisë nëse dojnë me luftu korrupsionin,” tha Ejupi.

Ministria më transparente për raportet e shpenzimeve të vitit të kaluar nga KDI-ja u vlerësua Ministria e Drejtësisë me 52 raporte shpenzimesh, e pasuar nga Ministria e Financave.

Artan Canhasi nga KDI-ja tregoi se në raportim e sivjemë të transparencës u është dashur të mos përmendin operatorët ekonomikë të ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

“Këtë vit kemi hequr një element-ankesat e OShP-së, sepse pas analizave tona e kemi parë se kjo ka ndikuar negativisht te operatorët ekonomikë, ku për shkak ankesave ata janë ndëshkuar nga institucionet në mosdhënien e tenderëve operatorëve ankues,” tha Canhasi.

[interaction id=”56e09825518248f65e631be4″]