KDI: KEK shpenzoi 11 milionë euro me kontrata të mbyllura - pa hulumtim tregu

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka prezantuar sot një raport nga monitorimi i kontratave për riparime kapitale në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Sipas këtij raporti, KEK gjatë vitit 2018 dhe 2019 ka dhënë tri kontrata për riparim dhe remont të pajisjeve që arrijnë vlerën e rreth 11 milionë eurove, me procedura të mbyllura dhe pa hulumtim të tregut.

Në raportin e saj KDI shkruan se tash e disa vite KEK-u kontratat për riparime i orienton tek dy operatorë ekonomik, që sipas KDI janë kompani të lidhura mes veti, e që kanë qenë të përfshira në ndërtimin e termocentralit Kosova B në vitet e 70-ta.

Blerim Gjoni nga KDI, ka thënë se në këtë raport janë analizuar 3 kontrata të mëdha për riparime të turbinave dhe gjeneratorëve të cilat janë dhënë me procedurë të negociuar dy operatorëve ekonomik “GE Power” dhe “Alstom Power Services”.

“Këta dy operatorë ekonomik edhe pse janë entitete të ndara, realisht janë kompani të lidhura pasi ‘GE Power’ ka në pronësi kompaninë ‘Alstom Power Services’. Këto dy kompani gjatë 3 viteve të fundit së bashku kishin përfituar kontrata nga KEK, në vlerë prej 22 milion euro. Të gjitha këto kontrata këtyre kompanive i ishin dhënë përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit-procedurë jo e hapur e tregut”, ka thënë Gjoni, gjatë prezantimit të raportit.

Në këtë raport shkruan se KEK-u gjatë planifikimit të këtyre prokurimeve nuk kishte bërë një hulumtim të tregut për të identifikuar nëse tregu ofron operatorë ekonomik tjerë si dhe për tu informuar me çmimet e tregut.