Kasami: Mosintegrimi në BE, një nga arsyet pse Zaev humbi shumicën e komunave

Lideri i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, tha sot se disa nga arsyet pse partia LSDM humbi shumicën e komunave në Maqedoni të Veriut, është mosintegrimi në BE.

“Vonesat që u bënë sa i përket integrimit të Maqedonisë apo marrjes së datës së hapjes së negociatave si rezultat i pengesave nga Bullgaria, duke pasur parasysh edhe indikatorët makroekonomikë shkaku i COVID-19 janë disa nga arsyet që krijuan dëshpërim te popullata, e veçanërisht te popullsia maqedonase”, thotë Kasami në emisionin “Kallxo Përnime”.

Sipas tij, LSDM po ashtu pati përçarje brenda vetes.

“Përçarja brenda LSDM por edhe si rezultat i moskoordinimit me partnerët e koalicionit janë disa nga arsyet e humbjes”, tha më tej Kasami.

Kasami në zgjedhjet lokale ka fituar komunën e Tetovës dhe do ta udhëheqë këtë komunë. Ndërsa, kjo parti ka qenë pjesë e koalicionit qeverisës LSDM-BDI-Lëvizja Besa.

Dje, Zoran Zaev ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut pas disfatës së thellë të partisë së tij, Lidhjes Social-Demokrate (LSDM), në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale që u mbajtën të dielën (31 tetor) në këtë vend.

Kryetari i Lidhjes-Social Demokrate, Zoran Zaev, në postin e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut për herë të parë u zgjodh më 31 maj të vitit 2017 pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që ishin mbajtur në vitin 2016.