Dardan Molliqaj - PSD

Kaq vota mori Dardan Molliqaj në zgjedhjet e 6 tetorit

Dardan Moliqaj nuk mori votat e nevojshme për t’u bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës nga zgjedhjet nacionale të 6 tetorit, ndërkaq këtë fundvit atij iu besua udhëheqja e Partisë Socialdemokrate (PSD), pas dorëheqjes së Shpend Ahmetit nga kjo pozitë.

Molliqaj në zgjedhjet e 6 tetorit mori vetëm 4,150 vota, përderisa edhe partia e tij nuk arriti të ketë asnjë përfaqësues në legjisturën e shtatë të Kuvendit.

Me 6 tetor, KALLXO.com ka raportuar se si kandidati nga PSD-ja Dardan Molliqaj ka qëndruar për mbi 20 minuta në qendrën e votimit në fshatin e tij.

Fillimisht, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, votat e mjaftueshme nga PSD-ja për t’u bërë deputetja e vetme nga kjo parti i mori Natyra Kuçi.

Por kjo nuk u arrit pas kalimit të pragut nga koalicioni Nisma-AKR-PD, pas një sërë ankesash nga këta të fundit për të hyrë në Kuvend.

Kurse, në zgjedhjet e 6 tetorit, PSD-ja kishte garuar në një listë të përbashkët me AAK-në e Ramush Haradinajt.

Ndërkaq, në zgjedhjet nacionale të vitit 2017, kur Molliqaj ishte pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, përmes së cilës siguroi votat për të qenë deputet, ishte personi i dytë më i votuar në VV, pas Albin Kurtit.

Molliqaj në ato zgjedhje kishte marrë 49,026 vota.

Partisë Socialdemokrate të Kosovës i ishin bashkuar 12 deputetë, mes tyre edhe Molliqaj, që kishin fituar ulëset në Kuvendin e Kosovës duke garuar nën flamurin e Lëvizjes Vetëvendosje.