(Arkiv) Foto: KALLXO.com

Kanosen dy gazetarë në Rudar të Leposaviqit

Dy gazetarë dyshohet se janë kanosur nga një burrë, dje rreth orës 10:30 në fshatin Rudar të Leposaviqit.

Sipas Policisë së Kosovës, kanosja ka ndodhur përderisa ata kanë qenë duke marrë pamje të barrikadave.

“Viktimat janë ndjerë të kanosur dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes. Rasti vazhdon të hetohet.” – thuhet në raportin e policisë.

Ky nuk është rasti i fundit që gazetarët janë penguar gjatë raportimit për tensionet në verit të Kosovës.

Tri ditë më parë është sulmuar edhe makina me të cilën po udhëtonin ekipi i KALLXO.com nga persona të maskuar në afërsi të Shkollës teknike në Mitrovicën e Veriut.

Njëri ka goditur me grushte makinën ndërsa pjesëtarë të tjerë të grupit kanë hedhur mjete të forta.

Producenti Valdet Salihu dhe gazetarja Shkodrane Dakaj kanë arritur të shpëtojnë pa lëndime fizike duke u larguar me shpejtësi në drejtim të zonave të tjera të Mitrovicës.

Në pamjet që janë kapur shihet personi duke vrapuar në drejtim të veturës, e që i njëjti edhe ka goditur automjetin.

Dy ditë më parë, një mjet shpërthyes është hedhur shumë afër ekipit të gazetarëve të RTV Dukagjini, i cili po raportonte drejtpërdrejt nga veriu i Kosovës.

Në pamjet që i ka publikuar RTV Dukagjini shihet kameramani duke i thirrur koleges Doruntina Bylykbashi që largohej me shpejtësi pasi prapa saj ishte hedhur një mjet shpërthyes.

Që nga 6 dhjetori, në veri të Kosovës janë shënuar një sërë incidentesh të armatosura, që kanë kulmuar me vendosjen e barrikadave pasditen e 10 dhjetorit.

Më 10 dhjetor, serbët lokalë nisën ngritjen e barrikadave në veri në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-pjesëtari të Policisë së Kosovës.

Autoritetet në Kosovë thanë se ish-polici, Dejan Pantiq, dyshohet se ka organizuar “sulmin terrorist” ndaj zyrave të KQZ-së në veri.

Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar që të largohen barrikadat dhe kanë dënuar sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së në Kosovë për sundim të ligjit, EULEX.

Teksa tensionet janë rritur në veri të Kosovës, krerët shtetërorë në Serbi kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për t’i kërkuar që të lejohet dislokimi i forcave ushtarake dhe policore në Kosovë. Qeveria në Prishtinë i ka cilësuar këto paralajmërime si “agresion”

Më 10 dhjetor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shtyu për në prill zgjedhjet lokale në katër komunat në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq. Këto katër komuna, të banuara me shumicë serbe, janë pa kryetarë që nga nëntori, pasi ata – që bashku me policët dhe punëtorët e sistemit të drejtësisë në veri – dhanë dorëheqje për shkak të një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe.