Kampi “Belvedere” nga sot do të mbajë emrin “Enver Zymeri”

Kampi i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës në Mitrovicë “Belvedere” nga sot do të mbajë emrin e zyrtarit policor, Enver Zymeri, i cili u vra 12 vite më parë.

Këtë e ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa tha se në këtë kamp Zymeri e ka pasë daljen e fundit për në operacionin policor.

Kurti tha se Zymeri është shembull i qytetarit që u angazhua për t’i dhënë kuptim lirisë.

“Kampi ku jemi mbledhur këtu ka qenë dalja e fundit e Enver Zymerit. Ai është shembulli i qytetarit që u angazhua për të kuptimësuar lirinë. Nuk do të pushojmë së angazhuari për të hedhur dritë mbi rastin dhe dhe për ta vënë para drejtësisë dorasin që i mori jetën Enverit tonë”- tha ai.

Në kampin e Policisë në Mitrovicë, ku u zbulua pllaka me emrin e Enver Zymerit, i pranishëm është edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla. Ai tha se kësaj qendre të Policisë i shkon të mbajë emrin e heroit Enver Zymeri.

Sveçla tutje tha se sot kujtojnë 22 zyrtarët policorë të rënë në krye të detyrës.

Ai j ka bërtë thirrje organeve të drejtësisë të veprojnë në drejtim të zbardhjes së rasteve të vrasjes së zyrtarëve policorë.

“Sot në veri të vendit është investuar në infrastrukturën që polici të kryejë detyrat e tija. Janë mbyllur shumë laboratorë droge, janë bllokuar kontrabanda, sot janë arrestuar shumë kriminelë qe shtypnin qytetarët, gjendja edhe në këtë pjesë po ndryshon drastikisht”- tha Sveçla.

Krerët institucionalë janë mbledhur në kampin e Policisë në Mitrovicë të Jugut për të përkujtuar zyrtarët policorë të rënë në krye të detyrës.

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës para 12 viteve kishte ndërmarrë aksionin për t’i futur nën kontroll pikat kufitare në veri të Kosovës, Jarinjë dhe Bërnjak.

Në mëngjesin e 25 korrikut të vitit 2011, zyrtarët policorë të Kosovës ishin nisur drejt pikave kufitare në veri të Kosovës në përpjekje për t’i marrë nën kontroll ato.

Por policët kishin hasur në pengesat e serbëve në veri, ku gjatë këtij aksioni nga strukturat ilegale serbe ishte vrarë polici Enver Zymeri.

Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ia kishte dhënë titullin “Hero i Kosovës” Enver Zymerit.

Ky titull i është ndarë Enver Zymerit me motivacionin për trimërinë dhe përkushtimin e treguar deri në flijim për vendosjen e sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës.