Seanca e Kuvendit të Kosovës, 4 qershor 2021, Foto: KALLXO.com

Kalon projektligji për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu gjatë seancës së Kuvendit, gjatë seancës së Kuvendit, paraqiti Projektligjin për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore.

Ai tha se gjatë përgatitjes së këtij Projektligji janë marrë në konsideratë rekomandimet dhe sugjerimet e ekspertëve vendor dhe ndërkombëtar.

“Ky projektligj është në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionit që lidhet me këtë projektligj dhe ka gjithsej 10 nene dhe nuk përmban elemente diskriminuese si dhe për zbatimin e tij nuk nevojiten mjete të konsiderueshme buxhetore”, ka thënë Aliu.

Ministri Aliu ka thënë se me këtë projektligj propozohet që të zgjatet afati për shitjen e banesave dhe të përfundoj ky proces deri më 31 dhjetor 2024.

Me 74 vota për asnjë kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi ka miratuar në parim Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore.

Gjatë kësaj seance është miratuar me 60 vota për në parim edhe Projektligji për Odat e arkitektëve dhe inxhinierëve në fushën e ndërtimit.

Ministri Aliu tha se me këtë projektligj do të rregullohen aspektet e rëndësishme të funksionimit të këtyre dy fushave të rëndësishme, do të themelohen Odat e arkitektëve dhe inxhinierëve në fushën e ndërtimit si dy oda të pavarura të cilat ushtrojnë kompetenca të caktuara publike në RKS.

Për këtë pikë deputetja e PDK-së tha se heziton ta ngrit dorën për ta votuar duke thënë se duhet të kthehet edhe një herë në debat publik me kategoritë profesionale.

“Këtë ligj duhet ta kthesh te komuniteti profesional dhe të krijojmë një mundësi të proceset me komunitetin profesional me njësitë akademike në nivel publik dhe kolegjet private që ta kemi edhe një farë harmonizimi midis ideve të ndryshme dhe besoj që si proces do të jetë më i lehtë edhe për ju edhe në aspektin e zbatimit pastaj”, tha Hoxha.