Kadri Veseli i reagon Baton Haxhiut: Nuk ka amnisti as falje për krimet serbe

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka bërë sot homazhe tek pllaka përkujtimore e të pagjeturve në oborrin e Kuvendit.

Sipas njoftimit të PDK-së, Veseli tha se nuk ka amnisti e as falje për krimet serbe të kryera në Kosovë dhe kërkoi nga Kuvendi ta votojë iniciativën e tij për formimin e Tribunalit për krimet serbe.

“Ky simbol prapa nesh që simbolizon dhembjen e njerëzve tanë, do shpagim. Serbia duhet të përgjigjet për krimet që ka kryer, përmes një Tribunali që kam iniciuar. Kosova e ka për obligim të kërkoj përgjigje”, tha Veseli.

“Kuvendi tashmë do duhej ta votonte Tribunalin që e kam iniciuar në legjislaturën e kaluar, që është drejtpërdrejt te shteti serb. Nuk ka amnisti, nuk ka falje, ka veç përgjigje të Serbisë për krimet që i ka kryer. Nuk ka as pranim as nënshtrim, por vetëm përgjigje për krimet që i ka kryer”, shtoi ai.

Në prag të Ditës së të Pagjeturve, familjarë të viktimave dhe vetë njerëz që kanë vuajtur dhe kanë pësuar nga krimet nga regjimi serb gjatë luftës së fundit,  janë përballur në opinion me deklarata për amnistinë e krimeve të luftës.

Ish-drejtori i Klan Kosovës, Baton Haxhiu duke folur për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë ka thënë se një marrëveshje e tillë do të duhej t’i ketë 3 elemente: 1. Gjykata Speciale dhe zhbërja e saj, 2. Amnistia në të dy vendet, pasi që pas 20 vjetësh s’ka pse dënohen njerëzit, dhe 3. Definimi i veriut, çka duam me veriun.

Sipas deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë të dielën për KALLXO.com se “duke e dëgjuar Baton Haxhiun e kuptojmë më mirë se çka në të vërtetë do presidenti Hashim Thaçi”.

Ndaj deklaratave të Baton Haxhiut ka reaguar edhe e mbijetuara e masakrës së Podujevës dhe deputetja e Lëvizjes së Vetëvendosje, Saranda Bogujevci  dhe e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi-Goodman.

Në anën tjetër, më 27 prill, sot, është organizuar një aksion simbolik në përvjetorin e të pagjeturve, në të cilën ftohen të gjithë qytetarët që të i bashkohen thirrjes që sonte, në orën 20:00, të fikin drita për dy minuta.