I akuzuari për masakrën në Izbicë thotë se 'gjatë luftës kurrë nuk kam qenë në Kosovë'

Muhamet Alidemaj, i akuzuar për krime lufte në Kosovë në vitin 1999 është ulur në bankën e të akuzuarit në Gjykatën e Prishtinës edhe sot më 18.06.2024.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Muhamet Alidemaj akuzohet se ka kryer veprën penale – krime kundër popullatës civile në Kosovë gjatë kohës së luftës.

I njëjti sipas aktakuzës më 28 mars 1999 së bashku me forcat ushtarake dhe policore serbe kishin zbritur nga mali për t’u nisur në drejtim të fshatit Izbicë, me të arritur në fshat të njëjtit shkuan në shtëpinë e të dëmtuarës Xh. O., ku nga kjo e fundit morën shumën prej 1,000 marka gjermane e më pas i vunë flakën pasurisë së të dëmtuarës. Nën kërcënim të armës të njëjtën e kanë detyruar që t’i prijë gjatë kontrollit të shtëpisë së saj.

Në fillim të seancës trupi gjykues në përbërje të Vesel Ismajli – kryetar, anëtarët Kushtrim Shyti dhe Violeta Namani, bëri të ditur se seanca do të vazhdojë më administrimin e provave.

“Kemi paraqitur një DVD e cila përmban një videoincizim të gjendjes së viktimave dhe momentit të varrosjes së tyre pas vrasjes, e cila është e datës 1 prill 1999 dhe 9 prill 1999. Po ashtu e kemi paraqitur edhe një CD në të cilën gjenden 227 fotografi të gjendjes të viktimave ditën kur janë vrarë apo janë gjetur nga fshatarët dhe pastaj janë varrosur’’ – tha prokurori special Ilir Morina, gjatë administrimit të provave.

“Kemi dokumente nga zyra e personave të zhdukur për personin Muhamet Alidemaj, kemi dorëzuar raportin e autopsisë për 140 viktima, kemi dorëzuar raportin e Agjencisë së forenzikës për 12 plumba të cilat dëshmitarët i kanë poseduar dhe i kanë dorëzuar”- shtoi tutje prokurori Morina.

Pas administrimit të provave nga ana e prokurorit Morina dhe administrimit të provave nga ana e mbrojtësit të akuzuarit, Muhamet Alidemaj, avokatit Millosh Delloviq, seanca vazhdoi me mbrojtjen e të akuzuarit për masakrën e Izbicës.

I akuzuari Muhamet Alidemaj u morr në pyetje nga mbrojtësi i tij, avokati Delloviq.

“Në kohën e luftës kurrë nuk kam qenë në Kosovë”- deklaroi i akuzuari Alidemaj.

Ai rrëfeu se arsyeja e vendimit për të ardhur në Kosovë kishte qenë për shkak se kur kishte biseduar në telefon me motrën e tij, motra i kishte thënë ‘nëse kishe pas mundësi me ardh sepse babai është shumë i sëmurë’.

“Një muaj ka shkuar derisa kam marr vendim të vij në Kosovë”- deklaroi i akuzuari Alidemaj.

Ai rrëfeu se në momentin kur ka ardhur në Kosovë, banorët e fshatit e kanë ditur, sepse kishte pasur muzikë në shtëpi dhe mbesat e tij kishin postuar në Facebook.

“Personat të cilët janë dëshmitarë të prokurorisë nuk i njoh, përveç Islam Dani dhe Haxhi Metaj”- deklaroi tutje i akuzuari Alidemaj gjatë marrjes në pyetje nga mbrojtësi  i tij, Delloviq.

“Pse ju kanë akuzuar këta njerëz që keni qenë pjesëmarrës i krimeve kundër popullit tuaj, çfarë mendoni lidhur me këto akuza?”- ishte një pyetje tjetër e cila ju parashtrua nga avokati i tij të akuzuarit.

Lidhur me këtë përgjigjja e të akuzuarit Alidemaj ishte se ‘për shkak se Islam Dani ka ngrënë, ka pirë, është shoqëruar me familjen e tij’, po ashtu kishte qenë misit për vëllain e tij.

Pas përfundimit të pyetjeve nga ana e mbrojtësit të të akuzuarit, seanca e shqyrtimi gjyqësor vazhdoi me marrjen në pyetje të akuzuarit Alidemaj nga ana e prokurorit special Ilir Morina.

Gjatë marrjes në pyetje nga prokurori special ai u përballë me pyetjen:
“Pse Islam Dani vendosi ty me të akuzu, e pse jo dikë tjetër të familjes por ty?”.

“Nuk e di arsyen por vetëm pse kam ardhur nga Beogradi dhe puna e tokës”- deklaroi i akuzuari Alidemaj.

Po ashtu i akuzuari Alidemaj u përballë edhe me disa pyetje nga mbrojtësi i viktimave, Veton Rudaku, i dëmtuari Islam Dani, i dëmtuari tjetër Adem Osmani dhe nga trupi gjykues.

Në fund të seancës i akuzuari deklaroi së është i pafajshëm dhe se është duke vuajtur burgun pa faj.

Në shqyrtimin gjyqësor të radhës lidhur me këtë çështje i cili pritet të mbahet më datë 09.07.2024 do të jepen fjalët përfundimtare.

Çka thotë dosja e prokurorisë?

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i akuzuari Muhamet Alidemaj ka kryer veprën penale – krime kundër popullatës civile në Kosovë gjatë kohës së luftës.

I njëjti sipas aktakuzës më 28 mars 1999 së bashku me forcat ushtarake dhe policore serbe kishin zbritur nga mali për t’u nisur në drejtim të fshatit Izbicë, me të arritur në fshat të njëjtit shkuan në shtëpinë e të dëmtuarës Xh. O., ku nga kjo e fundit morën shumën prej 1,000 marka gjermane e më pas i vunë flakën pasurisë së të dëmtuarës. Nën kërcënim të armës të njëjtën e kanë detyruar që t’i prijë gjatë kontrollit të shtëpisë së saj.

Tutje Alidemaj së bashku me ushtrinë dhe policinë serbe shkojnë te livadhi ku ishin të grumbulluar popullsia civile, duke përdorur dhunë, bëjnë ndarjen e grave dhe fëmijëve nën moshën 12-vjeç e dhunshëm i detyrojnë që të shkojnë në Shqipëri.

Ndërsa burrat i ndajnë në grupe dhe bëhet ekzekutimi i tyre me armë automatike, duke vrarë rreth 130 persona, ndërsa kishin arritur që të shpëtojnë vetëm 12 civilë.

Dy muaj pas këtij veprimi i akuzuari së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave serbe u kthye përsëri në fshat, i zhvarrosën trupat me ekskavator dhe i larguan duke i transportuar me disa kamionë në drejtim të panjohur. Ndërsa pas përfundimit të luftës trupat u gjendën në varrezat masive të Batajnicës, në Serbi.

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.

Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.

Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni këtu.