Kryeministrja britanike, Lizz Truss, Foto: REL

Jep dorëheqje kryeministrja britanike, Liz Truss

Kryeministrja e Mbretërisë së Madhe, Liz Truss ka deklaruar se po jep dorëheqje nga kjo pozitë, raporton BBC.

Siç raportohet në median britanike, Truss në një prononcim para gazetarëve tha se nuk mund ta vazhdojë mandatin me të cilin u zgjodh nga anëtarët e konservatorëve.

Liz Truss tha se se ajo u takua sot me kryetarin e Komitetit të vitit 1922, Sir Graham Brady.

Ata ranë dakord që brenda javës së ardhshme do të ketë zgjedhje për lidershipin, duke shtuar se ajo do të qëndrojë si kryeministre derisa të zgjidhet një pasardhës.

Më 5 shtator 2022, Liz Truss ka fituar garën në Partinë Konservatore, duke siguruar postin e lideres së kësaj partie dhe të kryeministres së re të Britanisë së Madhe.

Ajo formoi qeverinë më 6 shtator 2022.

Zgjedhja e saj në krye të partisë udhëheqëse, Partisë Konservatore, erdhi pas dy muajsh pasigurie, periudhë që është përshkruar me rritje të çmimeve të energjisë dhe me greva të dhjetëra mijëra punëtorëve.

Në garë për kryeministrin e ri, përveç Truss, e cila ka shërbyer në postin e sekretares së Jashtme, ishte edhe ish-shefi i Thesarit, Rishi Sunak.

Paraardhësi i saj, Boris Johnson dha dorëheqje në korrik për shkak të disa skandaleve.

Boris Johnson dha dorëheqje më 7 korrik, pasi Qeveria e tij u përball me skandale etike. Si Truss ashtu edhe Sunak kanë qenë lojtarë kyçë të kabinetit të Johnsonit, edhe pse Sunak kishte dhënë dorëheqje në shenjë proteste pas skandaleve.