Jakup Krasniqi - Foto: KALLXO.com

Jakup Krasniqi pritet të dalë para Gjykatës të hënën

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë njoftuar se të hënën, më 9 nëntor prej orës 11:00, ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi do të dalë para gjyqtarit të Gjykatës Speciale.

“Më 9 nëntor në orën 11:00 paradite, do të mbahet paraqitja e parë e Jakup Krasniqit në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë”, thuhet në njoftim.

Në njoftimin e Dhomave të Specializuara kanë saktësuar datën se kur është konfirmuar aktakuza ndaj Krasniqit.

“Aktakuza kundër Jakup Krasniqit u konfirmua më 26 tetor 2020. Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 4 nëntor dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë në të njëjtën ditë. Aktakuza e ngarkon Jakup Krasniqin me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare, për forma të ndryshme të përgjegjësisë penale. Aktakuza e redaktuar publike mund të lexohet këtu”, thuhet ttuje në njoftim.

“Paraqitja e parë e Jakup Krasniqit do të mbahet në seancë publike. Gjatë paraqitjes së parë, gjykatësi i procedurës paraprake siguron që të respektohen të drejtat e të akuzuarit, ndër të cilat e drejta për përfaqësim ligjor dhe që i akuzuari të kuptojë akuzat kundër tij. Paraqitja e parë mund të përcillet përmes transmetimit në Internet me një vonesë të shkurtër në https://ëëë.scp-ks.org/sq/transmetim. Gjithashtu, seanca mund të përcillet edhe nga galeria publike e sallës së gjyqit në ndërtesën e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Po ashtu, DHSK-ja ka edhe një qendër të posaçme për median në ndërtesën e vet në të cilën gazetarët mund të punojnë dhe të përcjellin seancat me një vonesë të shkurtër”, thuhet tutje në njoftim.

Në fund, në njoftim janë dhënë edhe detaje për ata që dëshirojnë ta ndjekin seancën fizikisht në sallën e gjykimit.

“Për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së Covid-19, numri i ulëseve në galerinë publike dhe në qendrën për media është shumë i kufizuar dhe nevojitet regjistrim paraprak. Për regjistrim paraprak, ju lutemi dërgoni një email në [email protected] deri të shtunën, 7 nëntor, ora 12:00 në mesditë. Në email duhet të shënohen emri dhe mbiemri, data e lindjes, shtetësia dhe numri i asaportës/letërnjoftimit, dhe përkatësia (p.sh, person privat, diplomat i akredituar, OJQ/shoqëria civile) dhe detaje të tjera relevante. Gazetarët duhet të shënojnë edhe emrin e organit të medias, vendin ku janë të bazuar, si edhe një skanim të kartelës së shtypit. Do t’ju informojmë sa më shpejt që të jetë e mundshme nëse ka ulëse të lira. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj duke mbajtur parasysh kufizimet e imponuara prej masave për shëndetin publik në përgjigje të COVID-19. Më shumë informacion për vizitat në DHSK, duke përfshirë edhe informacionin për masat në lidhje me COVID19 mund të gjendet këtu”, thuhet në fund.