Ndërtesa në Gaza ku gjendet zyrat e mediave AP dhe Al Jazeera, është shembur pasi u godit nga ushtria izraelite më 15 maj 2021

Izraeli kryen sulme në Gazë, shtohen tensionet në kufirin me Libanin

Forcat izraelite goditën Gazën të premten ndërsa u përleshën me militantët e Hamasit. Zhvillimi vjen ndërsa dështuan përpjekjet për të arritur përparim drejt një armëpushimi. Në kufirin verior të Izraelit me Libanin u shënuan rritje të tensioneve.

Dëshmitarët njoftuan për sulme në qytetin jugor Rafah dhe zonat qendrore të Rripit të Gazës.

Ushtria izraelite tha se vazhdoi operacionet në Gazën qendrore, ku avionët luftarakë goditën një njësi të militantëve në zonën e Zeitunit.

Dëshmitarët në Rafah, në kufirin jugor të Gazës me Egjiptin, njoftuan për sulme me helikopterë, ndërsa krahu i armatosur i Hamasit tha se militantët e tij qëlluan me mortaja ndaj trupave izraelite pranë lagjes Tal al-Sultan.

Lufta filloi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor në jug të Izraelit që shkaktoi 1,194 të vdekur, kryesisht civilë, sipas agjencisë franceze të lajmeve AFP, bazuar në shifrat zyrtare izraelite.

Militantët morën gjithashtu 251 pengje. Prej tyre, 116 mbeten në Gazë, megjithëse ushtria thotë se 41 janë të vdekur.

Ofensiva hakmarrëse e Izraelit ka vrarë të paktën 37,266 njerëz në Gazë, kryesisht civilë, sipas ministrisë së Shëndetësisë që kontrollohet nga Hamasi. Bilanci përfshin të paktën 34 të vdekur gjatë 24 orëve të fundit, tha ministria të premten.

Përshkallëzimi në kufi

Shqetësimi për zgjerim të konfliktit në Lindjen e Mesme është shtuar përsëri, pasi luftëtarët e Hezbollahut me bazë në Liban, të cilët mbështeten nga Irani dhe janë aleatë të Hamasit, lëshuan një sërë raketash dhe dronësh kundër objektivave ushtarake izraelite.

Hezbollahu tha se sulmet intensive, që filluan të mërkurën, janë kundërpërgjigje për vrasjen e njërit prej komandantëve të tij nga Izraeli. Forcat izraelite u përgjigjën me bombardime, tha ushtria, duke njoftuar gjithashtu edhe për sulme ajrore në “infrastrukturën terroriste të Hezbollahut” përtej kufirit.

Dy gra u vranë në një sulm në Jannata në Libanin jugor, tha zyrtari i njësisë Hassan Shur, viktimat e fundit në luftimet gati të përditshme mes Hezbollahut dhe ushtrisë izraelite që nga fillimi i luftës në Gazë. VOA