Ilustrim - Gaza

Izraeli bombardon Gazën pas prishjes së armëpushimit

Izraeli është duke kryer bombardime vdekjeprurëse në Gazë, për të dytën ditë me radhë, pas një jave të armëpushimit me Hamasin, pavarësisht thirrjeve për zgjatje të kësaj mase.

Hamasi është grup palestinez, i shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Shtëllunga tymi janë parë duke u ngjitur mbi Gazë, ku autoritetet shëndetësore palestineze kanë thënë se gati 200 njerëz janë vrarë, prej rinisjes së luftimeve në mëngjesin e së premtes.

Të dyja palët e kanë fajësuar njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes.

Izraeli pretendon se Hamasi ka tentuar të lëshojë raketa drejt tij dhe që ka dështuar të ofrojë një listë për lëshim të pengjeve.

“Ajo çfarë po bëjmë ne tani, është se po qëllojmë shënjestra të Hamasit në gjithë Rripin e Gazës”, ka thënë zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Jonathan Conricus të shtunën.

Me rinisjen e armiqësive, krahu i armatosur i Hamasit ka pranuar “urdhër për luftime” dhe “mbrojtje të Rripit të Gazës”, sipas një burimi të afërt me grupin, që ka kërkuar të mos identifikohet.

Grupet ndërkombëtare për ndihma e kanë dënuar rikthimin e luftimeve.

“Është fatkeqësi e madhe që operacionet ushtarake kanë nisur sërish në Gazë”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres në X – platformë e njohur më parë si Twitter.

“Sot, brenda orëve, janë raportuar dhjetëra të vdekur dhe të plagosur”, ka thënë shefi i OKB-së për Ndihma, Martin Grifiths.

“Familjeve u është thënë të evakuohen, sërish. Shpresat janë shuar”.

Shqetësimet për zgjerim konflikti janë rritur pasi Ministria siriane e Mbrojtjes ka thënë se sulmet izraelite kanë qëlluar Damaskun të shtunën, dhe grupi militant Hezbollah, ka thënë se një prej pjesëtarëve i është vrarë si pasojë e sulmeve izraelite në Liban, të premten.

Shtetet e Bashkuara janë duke punuar me parterët rajonalë që të arrijnë një tjetër armëpushim.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë me Izraelin dhe Egjiptin e Katarin, për ta rikthyer pauzën”, ka thënë Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, të premten nga Kalifornia.

“Nëna e të gjitha goditjeve”

Përgjatë një sulmi të pashembullt më 7 tetor, luftëtarët e Hamasit kanë hyrë në Izrael, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe i kanë kidnapuar rreth 240 të tjerë, sipas autoriteteve izraelite.

Izraeli është zotuar se do ta eliminojë Hamasin dhe si përgjigje ka nisur ofensivë tokësore dhe ajrore.

Sipas autoriteteve palestineze, si pasojë e sulmeve janë vrarë mbi 15.000 palestinezë në Gazë.

Mirëpo, për shkak të përpjekjeve diplomatike, të dyja palët janë pajtuar ditë më parë për një armëpushim shtatëditor, përgjatë së cilit, Hamasi i ka liruar 80 pengje izraelite, në këmbim të 240 palestinezëve të burgosur në Izrael, dhe futjes së ndihmave në Gazë.

Ushtria izraelite ka thënë të premten se pesë pengje kanë vdekur, duke e çuar numrin total në shtatë, dhe që 136 të tjerë janë duke u mbajtur, përfshirë 17 gra dhe fëmijë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u ka thënë të premten gazetarëve në Dubai se Shtetet e Bashkuara janë “tërësisht të fokusuara në dërgimin e secilit në shtëpi, në rikthim të pengjeve”.

Mirëpo zëdhënësi qeveritar i Izraelit Eylon Levy, u ka thënë gazetarëve se “duke vendosur t’i mbajnë peng gratë tona, Hamasi tani do të përballet me nënën e të gjitha goditjeve”.

Ushtria izraelite ka thënë se forcat tokësore, ajrore dhe detare janë duke kryer sulme në veri dhe jug të Gazës, përfshirë qytetet Han Junis dhe Rafah.

“Film horror”

Guterres ka paralajmëruar për “katastrofë humanitare” në Gazë, ku Kombet e Bashkuara kanë thënë se 1.7 milion njerëz janë zhvendosur dhe kanë mungesë të ujit, ushqimit dhe gjërave esenciale.

“Sistemi shëndetësor është gjunjëzuar”, ka thënë Rob Holden nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

“Është sikurse një film horror”.

Ushtria izraelite e ka publikuar një hartë të “zonave të evakuimit” në Rripin e Gazës, dhe ka thënë se do t’iu mundësojë banorëve “të evakuohen nga disa zona specifike për sigurinë e tyre, nëse kërkohet”.

Banorët në shumë zona të Gazës kanë pranuar mesazhe telefonike qysh prej të premtes.

Në to është thënë se forcat izraelite “do të nisin sulme në zonën tuaj të banimit me qëllim të eliminimit të organizatës terroriste Hamas”.

“Qëndroni larg të gjitha aktiviteteve ushtarake, të çfarëdo lloji”./REL/Përgatiti: Krenare Cubolli