Istogu nuk ka kapacitete për mbulimin e të gjitha dëmeve të shkaktuara nga vërshimet

Reshjet e dendura të shiut në Kosovë bën që disa prej qyteteve të preken nga vërshimet e të pësojnë dëme të konsiderueshme në infrastrukturë, bujqësi e në sektorë të tjerë.

Një nga komunat që ka pësoi dëme të konsiderueshme është edhe ajo e Istogut, e cila që nga e diela e kaluar po i bën ballë këtyre vërshimeve.

Ardon Arifaj, zyrtar për informim i kësaj komune në disa përgjigje për KALLXO.com tregoi se cila është situata e krijuar nga vërshimet në fshatrat e në qytetin e Istogut.

Ai bëri me dije se Komuna e Istogut nuk ka kapacitet të madh për mbulimin e të gjitha dëmeve të shkaktuara nga vërshimet.

Arifaj tregoi për KALLXO.com se menjëherë pas situatës së krijuar nga reshjet e shumta të shiut, kryetari i Komunës, Ilir Ferati ka formuar Shtabin Emergjent.

Ferati, sipas Arifajt po ashtu ka vendosur edhe për formimin e Komisioneve për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet.

Në përgjigjet e zëdhënësit u tregua se procesi i vlerësimit të dëmeve është duke u zhvilluar pa ndërprerë.

Arifaj theksoi se ekipi emergjent së bashku me komisionet janë në teren dhe po e shikojnë gjendjen nga afër.

Përfundimi i këtij procesi dhe vlerësimi i dëmeve, sipas zëdhënësit, pritet që të përfundoj në fund të javës së ardhshme.

Arifaj tregon se procesi mund të përfundoj vetëm nëse nuk ka më reshje të dendura të shiut që po sjellin edhe vërshimet, duke bërë kështu që të mos përsëritet situata e njëjtë.

Pas përfundimit të vlerësimit të dëmeve, Arifaj thotë se Komuna e Istogut do të përpiloj një raport përfundimtar, të cilin do t’ia drejtoj ministrisë së linjës për mbështetje.

Ai gjithashtu tregoi që dëmet i kanë në infrastrukturë rrugore, kanalizime, ujësjellës, bujqësi, biznese dhe ekonomi familjare.

Përpos Istogut, një komunë tjetër që u prek nga vërshimet është edhe ajo e Vushtrrisë.

Kryetari i kësaj komune, Ferit Idrizi në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se si pasojë e reshjeve të dendura të shiut është krijuar edhe Shtabi Emergjent me qëllim të menaxhimit të situatës.

Idrizi tregoi se më të pasur nën kontroll këtë situatë dhe sapo të kalohet gjendja e jashtëzakonshme do e krijojnë edhe komisionin për vlerësimin e dëmeve.

I pari i Vushtrrisë bëri me dije që pasur parasysh gjendjen në të cilën është ky qytet, ende nuk dihet as kostoja e përafërt e dëmeve të shkaktuara.

Ndonëse ende nuk ka ndonjë shifër të saktë se sa do të jetë kostoja për t’i mbuluar shpenzimet që do të vijnë si pasojë e vërshimeve, kryetari Idrizi tha se komuna nuk ka buxhet të mjaftueshëm.

Ai tha se do të kërkojnë ndihmë nga Qeveria e Kosovës me qëllim të kompensimit të dëmeve me kosto të lartë.

“Deri me tani nuk e dimë as koston e përafërt të dëmeve, por gjithsesi do të kërkojmë ndihmë nga Qeveria, pasi Komuna nuk ka buxhet të mjaftueshëm për t’i kompensuar dëmet me kosto të larta”- ka thënë Idrizi për KALLXO.com.

Vërshimet prekën edhe qytete të tjera të Kosovës, siç janë Peja, Skenderaj, Mitrovica, e të tjera.

Reshjet e dendura të shiut bën që edhe uji i pijshëm të turbullohet në disa zona të Kosovës.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dje njoftoi se në mostrat e mbledhura në të gjithë vendin, uji i sistemeve të goditura nga shirat dhe përmbytjet ka ende vlerë të shtuar të turbullirës në ujin e pijshëm.

Sipas IKSHPK-së, nga mostrat laboratorike mikrobiologjike, disa nga to rezultojnë me baktere koliforme duke bërë që uji nga këto sisteme të mos i plotësoj standardet e kërkuara të ujit të pijshëm.

Nga ana e Institutit u rekomandua që konsumatorët para përdorimit të ujit, ta vlojnë atë.

Në anën tjetër, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës dje njoftoi që edhe dita e sotme do të vazhdoj të ketë reshje të shiut, duke thënë se ato me intensitet dhe në sasi më të larta do të jenë në pjesën perëndimore të vendit.

Vushtrria ende në gjendje të jashtëzakonshme pas vërshimeve