Foto: Komuna e Gjilanit/Facebook

Ismajli: Situata në Gjilan është e qetë dhe e menaxhueshme

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, së bashku me drejtorin e Shëndetësisë, Selami Xhemaili, kanë takuar gjatë ditës përfaqësuesit e Komisionit Komunal për Emergjenca, Policinë e Kosovës, shëndetësinë primare, Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik dhe Spitalin Regjional, ku u riktheksua se gjendja është e qetë dhe e menaxhueshme.

Ismajli ka thënë se ekipet mjekësore vazhdimisht janë në terren, ku përsëri gjatë ditës së nesërme do t’i vizitojnë familjen e prekur në Vrapçiq, thuhet në një komunikatë të Komunës.

“U njoftuam se gjendja e të prekurve është e mirë, ku po mbahet nën kontrollë të vazhdueshme nga ekipet mjekësore. Gjithashtu, ju njoftoj se ekipet tona mobile, janë të gatshëm të ballafaqohen me kërkesat dhe nevojat tuaja, andaj, jemi të gatshëm, në çdo orë, e çdo çast, për t’iu dalë në ndihmë të vazhdueshme të gjithë qytetarëve, në veçanti, zonave të prekura, të cilat po ballafaqohen me këtë pandemi”, ka shtuar nënkryetari Ismajli.

Me këtë rast, i dyti i Gjilanit ka falënderuar Policinë, e cila ka aktivizuar dhe rritur mekanizmat në funksion të udhëheqjes dhe menaxhimit të situatës në Gjilan.

“Po ashtu, një mirëseardhje të veçantë për Major – Zejnullah Surdulli, i cili na është bashkangjitur ekipit tonë, ku me punën dhe profesionalizmin e tij, do të na ndihmojë në favor të menaxhimit të situatës pandemike”, ka përfunduar Ismajli sipas komunikatës.