COVID-19: Komuna e Gjilanit po pret rezultate për 50 mostra të marra ditëve të fundit

Komuna e Gjilanit po pret rezultatet e 50 mostrave të marra nga qytetarët të cilët kanë shfaqur simptoma të infektimit me coronavirus.

Nënkryetari i kësaj komune, Arbër Ismajli thotë se mostrat e marra janë të ditëve të fundit ndërsa shuma e tyre është 50.

“Jemi në pritje të rreth 50 mostrave në total, që janë marrë këto ditët e fundit. Kemi gjithsej 6 pacientë që janë të shtrirë në repartin e Klinikës Infektive në Gjilan ndërsa të tjerët që janë raste aktive janë në vetizolim”, ka thënë Ismajli për KALLXO.com.

Mbrëmjen e kaluar, Komuna e Gjilanit regjistroi edhe nëntë raste të reja me COVID-19.

Në total Gjilani ka regjistruar 195 raste të qytetarëve të infektuar me coronavirus.

Nga kjo statistikë, 136 pacientë janë shëruar, katër kanë vdekur ndërsa janë edhe 55 raste aktive.

Mbrëmjen e kaluar në Kosovë u shënua numër rekord i të identifikuarve me coronavirus. Vetëm mbrëmë u regjistruan 178 raste të reja me coronavirus. Ndërsa brenda 24 orëve dyshohet se vdiqën 12 persona.

Në Kosovë, aktualisht janë regjistruar 3356 persona të infektuar me coronavirus. Nga kjo shifër 1874 persona janë shëruar, 66 kanë vdekur.