Nënkryetari i Gjilanit thotë se nuk do të kandidojë për kryetar të komunës

Nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, përmes një postimi në ‘Facebook’, ka shkruar se nuk ka biseduar me askënd prej LDK-së, për të kandiduar për kryetar të komunës.

“Po e ndjejë të nevojshme të ua bëjë me dije edhe njëherë disa oponentëve të lodhur brenda taborit tim politik të LDK-së, se deri më tani, asnjëherë të vetme, nuk kam biseduar me kryetarin e partisë së LDK-së, dega në Gjilan, dhe, me asnjë strukturë politike, lidhur me kandidaturën time për zgjedhjet e ardhshme për kryetar të Komunës së Gjilanit”, ka shkruar ai.

Ismajli ka shkruar se kur të vijë koha, do të diskutohet në lidhje me këtë çështje, ndërsa ka kërkuar që të ‘lihet i qetë’, ai dhe familja e tij.

“Të gjithë ju, të cilët keni aspirata duke u munduar të denigroni njerëz, ju ftojë të më leni të qetë, personalisht mua, dhe, veçanërisht familjen time, duke ndjekur rrugën tuaj politike, ashtu siç keni arritur të “depërtoni”, ka shkruar Ismajli.