Ilustrim

Gjilani me vetëm 3 ekipe mobile për trajtimin e pacientëve me COVID-19

Banorët e fshatit Bresalc të Komunës së Gjilanit janë ankuar për vonesat e ekipeve mobile të cilat ofrojnë terapinë për peronat e prekur nga COVID-19.

Nazmi Uruqi, banor i këtij fshati ka thënë se është detyruar që për bashkëshorten e tij të kërkoj ndihmë tek mjeku privat, sepse sipas tij në ambulantën e fshatit nuk i kanë dhënë shërbim për COVID-19.

“Të shoqen e kam me COVID-19 që dhjetë ditë. Jam munduar të kem një shërbim në Bresalc, por terapinë më duhet ta marrë në Gjilan, për shkak që këtu nuk lejohet ose nuk duan të ofrojnë shërbime”, tha ai.

Haxhi Kurti, kryetar i fshatit Bresalc ka thënë se me problemin e njëjtë janë duke u ballafaquar të gjithë qytetarët e infektuar të këtij fshati.

“Është problem për shkak që në nivel të komunës janë vetëm 3 ekipe mobile që intervenojnë në të gjithë Komunën e Gjilanit, kur dihet se sa i madh është fluksi i pacientëve që presin trajtimin, nuk po arrijnë me kohë, 2 orë 3 orë me vonesë”, tha ai.

Kurti ka pasur një kërkesë për institucionet lokale dhe qendrore.

“Qeveria dhe Komuna të shtojnë numrin stafit mjekësor në mënyrë që ta përballojmë këtë situatë”, tha ai.

Nga komuna e Gjilanit e kanë pranuar se e kanë të pamundur që të ofrojnë shërbime në kohë. Komuna e Gjilanit numëron rreth 80 mijë banorë.

Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës së Gjilanit në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se kjo komunë ka aktualisht vetëm 3 ekipe mobile të cilat sipas tij janë të pamjaftueshme duke e parë gjendjen në Gjilan.

“Janë tri ekipe mobile që vazhdimisht i trajtojnë pacientët me COVID që janë në shtëpi, normalisht që nuk janë të mjaftueshme as 3 ekipe, sepse nga 1250 që janë të infektuar,  vetëm 133 janë në spital, pjesa tjetër janë në shtëpi, dhe është e pamundur që me mbërri në kohë tek të gjitha ato familje që kanë nevojë” , tha ai.

Ismajli tha ky problem pritet të evitohet me angazhimin e stafit mjekësor nga Ministria e Shëndetësisë.

“Numri i teknikëve dhe mjekëve që po planifikohen Ministria e Shëndetësisë, do të na del në ndihmë për ta rritur numrin e ekipeve mobile”, tha ai.

Këtu mund ta shiheni videon e plotë.