Ismaili: 14 shkolla të Prishtinës aktualisht mësojnë online

Ardiana Ismaili nga Drejtoria e Arsimit në Prishtinë në emisionin “Jeta në Komunë” ka bërë të ditur se në kryeqytet 14 institucione arsimore janë duke mbajtur mësimi nga distanca, për shkak të rasteve të paraqitura me COVID-19.

“Në Prishtinë janë 14 institucione që janë duke e mbajtur mësimin në distancë, me skenarin C. Janë katër shkolla të mesme të larta, 8 të mesme të ulëta dhe një institucion parashkollor. Për momentin janë 92 mësimdhënës dhe 160 nxënës të infektuar me COVID-19”, tha ajo.

Ajo shtoi se të gjithë nxënësit e këtyre shkollave janë duke mbajtur mësim online.

“Ne si DKA kemi kërkuar çdo ditë të dhënat për sa mësimdhënës janë duke mbajtur mësim, sa nuk kanë kanë pasur mundësi të kyçen dhe deri më tani, sipas informatave mësimi online është duke u mbajtur në mënyrë të rregullt”, tha Ismaili.

 

Mësimi për vitin shkollor 2020-2021 ka filluar më 14 shtator.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përgatitur tre skenarë të ndryshëm për fillimin e vitit të ri shkollor, në kohë pandemie, Skenari A është për mësim fizik në shkolla, skenari B – mësimi i kombinuar dhe skenari C – mësimi online nga platforma të ndryshme.