Ish-studenti i Edukimit: Xhevat Krasniqi e kishte ngacmuar kolegen në provim

Ish-studenti i Fakultetit të Edukimit në Gjakovë, tashmë mësues në shkollën fillore “Dëshmorët e Baballoqit” në Deçan, Arlind Hajdaraj, ka dalë publikisht dhe ka treguar se profesori Xhevat Krasniqi e kishte ngacmuar një studente në vitin akademik 2012/2013.

Hajdaraj është personi i parë që flet hapur, pa e mbuluar as fytyrën, as identitetin, për dyshimet ndaj profesorit Krasniqi.

Profesori i shkencave matematikore, Xhevat Krasniqi, është denoncuar nga 27 studente të Universitetit të Prishtinës për ngacmim seksual.

Hajdaraj në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini tha se Krasniqi gjatë ligjëratave ka qenë korrekt dhe profesionalisht i përgatitur, ndërsa gjatë provimit të fundit që e kanë mbajtur më 23.01.2014 ka ndodhur rasti konkret kur edhe menjëherë janë marrë masa.

Mësuesi rrëfen se gjatë provimit, Krasniqi iu kishte drejtuar një studenteje me fjalët: “Nuk paske mësu sa duhet me kalu, por mundemi me ia bo edhe ndryshe, thjesht me pi kafe dhe me diskutu”.

“Studentët kemi qenë të ndarë në dy grupe, provimi i vitit të parë Matematika elementare 1 dhe 2. Unë kam qenë në grupin e dytë sepse e kam kalu atë provim më herët, dhe dy banka para meje ka qenë studentja. Profesori i afrohet afër dhe i thotë se: “Nuk paske mësu sa duhet me kalu, por mundemi me ia bo edhe ndryshe, thjesht me pi kafe dhe me diskutu”. Kjo ka qenë nismë e mjaftueshme për me e marrë ne si ngacmim seksual”- ka deklaruar Hajdaraj.

Hajdaraj thotë se menjëherë pas provimit, kolegët e tij me ndihmën e një profesoreshe e cila ka zgjedhur të mbetet anonime edhe sot e kësaj dite, kishin hartuar një peticion përmes të cilit kishin kërkuar përjashtimin e profesorit Krasniqi.

Siç tregon Hajdaraj, profesori ishte larguar nga Fakulteti brenda një jave pasi ishte dorëzuar peticioni.

“Menjëherë pas provimit, kemi diskutu bashkë të gjithë kolegët, me ndihmën e një profesoreshe e cila ka kërkuar atëherë me mbetë anonime dhe të njëjtin qëndrim e mban edhe sot, ne e kemi hartuar një peticion të cilin e kemi nënshkru dhe e kemi dorëzu. Brenda një periudhe rekord, asnjë javë nuk ka qenë në pyetje, profesori largohet nga Fakultetit. Tash unë nuk e di a është shkarkuar apo çka ka ndodhë me të, por thjesht ai nuk ka ardhë më”- është shprehur Hajdaraj.

“Gjatë atij afati ai na rrëzon të gjithë studentët nga provimi, shenjë e hakmarrjes sigurisht. Përderisa e kemi raportu, ai e ka marrë njoftimin edhe atëherë ka ardhë një profesoreshë tjetër me të cilën e kemi mbajtë provimin” – shtoi ai.

Pesë ditë pas transmetimit të emisionit “Kallxo Përnime” për ngacmimet seksuale në Universitetin e Prishtinës, Prokuroria ka autorizuar organet e rendit që të nisin hetimet.

Kryeprokurori Zejnullah Gashi më 12.04.2024 ka konfirmuar për KALLXO.com se janë intervistuar katër dëshmitarë.

Më 07.04.2024, “Kallxo Përnime” transmetoi rrëfimet e studenteve dhe studentëve të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, në lidhje me ngacmimet seksuale që pretendohet t’i ketë bërë profesori i shkencave matematikore, Xhevat Krasniqi.

Teuta, Shpresa dhe Era (emra fiktivë) janë tri vajza që në kushte anonimiteti rrëfyen në emisionin “Kallxo Përnime”, më 07.04.2024, për ngacmimet seksuale që Xhevat Krasniqi, profesor i matematikës, pretendohet se ua kishte bërë derisa studionin në degën e Farmacisë në UP.

Përveç këtyre tri studenteve, në “Kallxo Përnime” më 07.04.2024 rrëfyen edhe 3 djem që kishin qenë dëshmitarë të këtyre ngacmimeve seksuale që u ishin bërë vajzave nga viti 2022.

‘Teuta’ që pretendon se është ballafaquar me fjalë ngacmuese nga Krasniqi, më 14.02.2023, ka thënë se nuk e harron kurrë sepse sipas saj, ka qenë dita kur asnjëherë nuk është ndier më keq. Pikënisje e kësaj dite kishin qenë rezultatet e provimit kur profesori Krasniqi e kishte rrëzuar atë nga provimi për 0.05 pikë.

Në konsultime me gojë, siç ka thënë studentja, Krasniqi i kishte thënë se është “i drejtë në vlerësim” duke iu drejtuar edhe me fjalët se “kur të duash të bëj masazhë”, fjalë të cilat i kishte pasuar edhe një demonstrim duke tentuar “të përqafojë studenten”.

Pesë javë pas denoncimit të studenteve ndaj profesorit të Shkencave të Matematikës, Xhevat Krasniqi, për ngacmim seksual, më 04.04.2024 u mblodh Këshilli i Etikës së Universitetit të Prishtinës.

Në këtë mbledhje u paraqit edhe vetë Krasniqi, ani pse me gjithë insistimin e Jeta Xharrës, refuzoi të përgjigjet lidhur me pretendimet ndaj tij.

Më 11.04.2024, studentë të së paku dy fakulteteve të Universitetit të Prishtinës kanë bojkotuar mbajtjen e procesit mësimor.

Ndërkohë, aktivistë të Lëvizjes Feministe Studentore dhe të tjerë, po të njëjtën ditë u shpërndanë me forcë nga Policia e Kosovës, pasi kishin bllokuar hyrjen e Rektoratit të UP-së.

Universiteti i Prishtinës ka reaguar në lidhje me denoncimin për ngacmim seksual që 27 studente i kanë bërë profesorit Xhevat Krasniqi, duke kërkuar më shumë kohë për trajtimin e këtij rasti.

Këshilli i Etikës, sipas UP-së, thotë se ky rast “meriton hapësirë kohore” në mënyrë që të dëgjohen dhe shqyrtohen deklarimet e secilës palë.

Sipas UP-së, “nuk ka as vend dhe as arsye për dramatizim të situatës”.

www.kallxo.com