Presidenti amerikan, Donald Trump/rel/

Ish-presidenti Trump në gjykatë me 20 maj 2024 lidhur me fshehjen e dosjeve të klasifikuara 

Një gjykatë ka vendosur që ish-presidenti, Donald Trump do të paraqitet në gjyq për keqpërdorim të dyshuar të dokumenteve të klasifikuara. Trump pritet të ulet në bakën e të akuzuarit në pranverën e vitit të ardhshëm.

Gjykatësja Aileen Cannon e vendosi rastin kundër Trump për 20 maj.

Trump kishte kërkuar që gjyqi të mbahej pas zgjedhjeve të nëntorit të vitit 2024. Prokurorët e kërkuan këtë vit.

Trump, 77 vjeç, përballet me akuza të rënda për ruajtjen e dosjeve të ndjeshme në shtëpinë e tij në Florida.

Prokurorët thonë se ai i mbante në mënyrë të paligjshme dokumente sekrete në pronën e tij në Mar-a-Lago pasi e la detyrën e Presidentit dhe i pengoi përpjekjet e qeverisë për t’i tërhequr ato.

Ish-presidenti është shprehur i pafajshëm, duke e cilësuar rastin si një përpjekje për ta shkatërruar fushatën e tij zgjedhore.

Në një deklaratë të premten, Trump tha se data e gjykimit është një “pengesë e madhe” në “kryqëzatën” e departamentit të drejtësisë kundër tij.

“Orari i gjerë i lejon Presidentit Trump dhe ekipit të tij ligjor të vazhdojnë ta luftojnë këtë mashtrim të zbrazët,” tha ish-presidenti.

Të premten, gjykatësi Cannon, një i emëruar nga Trump, tha se gjykimi dy-javor do të zhvillohet në Fort Pierce, Florida.

Që prokurorët të sigurojnë një dënim në çështjen Mar-a-Lago, vendimi i jurisë duhet të jetë unanim.

Juritë do të zgjidhen nga e gjithë divizioni i Fort Pierce, duke përfshirë disa qarqe të cilat Trump i fitoi në vitin 2020.

Ish-presidenti u deklarua i pafajshëm për 37 akuza federale gjatë një gjyqi në Miami muajin e kaluar.

Avokatët e të dyja palëve debatuan në gjykatën e Fort Pierce në fillim të kësaj jave se kur duhet të mbahet rasti.

Prokurorët thanë se provat nuk ishin të komplikuara dhe nuk kishte nevojë të shtyhej gjykimi. Ata donin që ky gjykim të fillonte në dhjetor.

Mirëpo avokatët e ish-presidentit Trump kishin argumentuar se natyra “e jashtëzakonshme” e çështjes kërkonte më shumë kohë për t’u përgatitur.

Ata thanë se klienti i tyre nuk mund ta marrë një gjykim të drejtë përpara zgjedhjeve të nëntorit 2024.

Sondazhet e opinionit tregojnë se Trump është kandidati kryesor në garën për t’u bërë kandidati i partisë republikane, i cili do të sfidojë kandidatin demokrat, sipas të gjitha gjasave, presidentin Joe Biden, vitin e ardhshëm.

Çështja Mar-a-Lago është një nga disa sfidat ligjore me të cilat përballet Trump.

Në prill, ai u akuzua për falsifikimin e të dhënave të biznesit në shtetin e Nju Jorkut.

Trump njoftoi këtë javë se ai pret të arrestohet së shpejti në lidhje me një hetim federal mbi trazirat në Kongresin e SHBA dy vjet më parë dhe përpjekjet e tij për të sfiduar rezultatet e zgjedhjeve të 2020.

Prokurorët e shtetit në Atlanta, Georgia, po hetojnë gjithashtu nëse ish-presidenti e ka thyer ligjin me përpjekjet e tij për t’i përmbysur rezultatet e sondazhit në atë shtet tri vjet më parë.

Këshilltari special i emëruar nga Departamenti i Drejtësisë, Jack Smith, po i udhëheq hetimet e dyfishta mbi trazirat në  Kapitol Hill dhe dosjet Mar-a-Lago.

Në një aktakuzë muajin e kaluar, prokurorët e tij pretenduan se kur Trump la detyrën e presidentit të SHBA-ve, ai i mori rreth 300 dokumente të klasifikuara në shtëpinë e tij buzë oqeanit në Palm Beach.

Ata thonë se ai i ruante dokumentet e ndjeshme në disa hapësira, duke përfshirë një sallë vallëzimi dhe një banjë.

Sipas prokurorëve, Trump i tha gjithashtu një ndihmësi personal, ëalt Nauta, që t’i lëvizte kutitë të cilët përmbanin skedarë të klasifikuar nga një dhomë magazinimi në vendpushimin përpara se hetuesit federalë të vinin për t’i kërkuar.

Nauta është gjithashtu i akuzuar në këtë rast dhe është deklaruar i pafajshëm.

Në Nju Jork, Trump përballet me 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit për fshehjen e supozuar të pagesave të parave për yllin e filmave për të rritur Stormy Daniels.

Ish-presidenti përballet me një gjykim lidhur me këtë rast më 25 mars të vitit 2024./BBC