Padia ndaj Trump: A mund të kandidojë ende për president të SHBA-së?

Njoftimi i ish-presidentit Donald Trump në platformën e tij të mediave sociale se ai është paditur nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së ngriti më shumë pyetje sesa iu përgjigj – por mund të mos dimë shumë më tepër deri të martën e ardhshme, kur Trump është urdhëruar të paraqitet në një gjykatë federale në Miami.

A ka ndodhur ndonjëherë kjo më parë? Absolutisht jo. Asnjë ish-president, apo kandidat kryesor presidencial nga një parti e madhe politike, nuk është akuzuar ndonjëherë për një krim federal.

A nuk ishte Trump tashmë i paditur? Po, ish presidenti Trump u padit me akuza shtetërore në lidhje me pagesën e parave në këmbim të heshtjes ndaj një ish-ylli të filmave për të rritur në muajin mars. Kjo aktakuzë e re përfshin akuza krejtësisht të ndryshme federale, në lidhje me trajtimin e dokumenteve të klasifikuara pasi ai u largua nga Shtëpia e Bardhë.

A mund të kandidojë ende për president? Po – asgjë nuk e ndalon Trumpin të kandidojë ndërkohë që është i paditur apo edhe i dënuar. Mund të jetë më e vështirë për një kandidat të paditur të fitojë vota, por nuk është e ndaluar që ata të kandidojnë apo të zgjidhen.

Po sikur Trump të fitojë para se të përfundojë gjyqi? Nëse Trump fiton zgjedhjet, si president ai mund takontrollojë Departamentin e Drejtësisë dhe ta pushojë rastin nëse është ende në pritje.

A mund të burgoset Trump? Ai nuk është gjykuar, aq më pak i dënuar. Njerëzit kryejnë në mënyrë rutinore burg për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara, konspiracion dhe pengim – por zyrtarët e lartë të akuzuar për keqbërje kanë gjetur gjithashtu historikisht një rrugëdalje nga burgu./CNN