Ish presidentit Trump i është thënë se mund të përballet me akuza për dokumente të klasifikuara

Ish presidentit Donald Trump i është thënë se përballet me hetim penal për trajtimin e dosjeve të klasifikuara pas largimit të tij nga detyra e presidentit te SHBA-së, raportojnë mediat amerikane.

Një vendim i prokurorëve federalë për ta njoftuar ish-presidentin për një hetim penal sugjeron se ai së shpejti mund të përballet me akuza.

Nëse kjo do të ndodhë, do të jetë kjo aktakuza e dytë ndaj Donald Trump, i cili aktualisht është duke bërë fushatë elektorale për t’u bërë president  edhe një herë.

Prokurorët kanë kërkuar transferimin e dosjeve në pronën e Trump në Mar-a-Lago Florida që nga viti i kaluar.

Prona buzë plazhit u kontrollua gushtin e kaluar dhe u sekuestruan 11,000 dokumente, duke përfshirë rreth 100 sosh të shënuara si të klasifikuara. Disa prej tyre u etiketuan si top sekret.

Në një intervistë të mërkurën, Trump mohoi se i ishte thënë se përballet me një aktakuzë për trajtimin e dokumenteve.

Kur u pyet nga New York Times nëse i ishte thënë se ishte një objektiv i një hetimi federal, ai tha “duhet të kuptoni” se ai nuk ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me prokurorët.

CNN, ABC News dhe Politico, të gjitha raportuan të mërkurën mbrëma se Trump është njoftuar me letër se ai ishte subjekt i një hetimi penal.

Të gjitha mediat thanë se vendimi ka sinjalizuar se akuzat mund të ndodhin së shpejti, por se është e mundur që një person të mos vazhdonte të akuzohej.

New York Times citoi dy njerëz të njohur me çështjenteksa thonë se njoftimi erdhi nga zyra e Jack Smith, ish-avokat për krimet e luftës, i kthyer në prokuror special i cili po shqyrton provat.

Partneri amerikan i BBC-së, CBS News, tha se një burim i afërt me Trump tha se ai ishte objektivi i një hetimi penal, por nuk konfirmoi se ishte marrë një letër zyrtare.

Ky zhvillim më i fundit vjen pasi prokurorët morën një audio regjistrim të Trump, në të cilin ai pranon se ka mbajtur një dokument të klasifikuar pas largimit nga Shtëpia e Bardhë.

Trump, i cili kryeson në sondazhet për të qenë kandidati i Partisë Republikane për president të vitit 2024, e ka mohuar vazhdimisht keqbërjen dhe e ka kritikuar hetimin e departamentit të drejtësisë si “të motivuar politikisht” dhe si një “gjueti shtrigash”.

Çdo aktakuzë për trajtimin e tij të dokumenteve të klasifikuara është bërë pasi Trump u bë ish-presidenti i parë që u akuzua për një krim, pasi u deklarua i pafajshëm për 34 akuza për falsifikimin e të dhënave lidhur me një pagesë në këmbim të heshtjes ndaj një ylli porno.

Trump do të përballet me një gjykim për këtë rast në Nju Jork vitin e ardhshëm./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala