Ish-ministri i FSK-së, Haki Demolli - Foto: Facebook

Ish-ministri Demolli: LDK të garojë e vetme në zgjedhjet e 14 shkurtit

Ish-ministri i Mbrojtjes nga LDK, Haki Demolli, ka thënë se kjo parti duhet të garojë e vetme në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Demolli përmes një shkrimi të gjatë në profilin e tij në ‘Facebook’ ka shkruar se nuk do të jetë pjesë e listës zgjedhore.

“Vetëm pak ditë para dorëzimit të listave zgjedhore, në të cilat zgjedhje unë nuk jam i gatshëm dhe i interesuar që të marr pjesë si kandidat për deputet, disa subjekte të vogëla politike janë të interesuara që të bëjnë koalicion me LDK-në, respektivisht që në listën zgjedhore të LDK-së, të fusin numër të caktuar të kandidatëve të tyre”, ka shkruar ai.

Ai ka shtuar se disa nga arsyet se LDK nuk duhet të bëjë koalicion parazgjedhor me asnjë parti është se LDK duhet të dalë si e vetme që të matet në ‘peshoren zgjedhore’, për të parë se sa kanë ndikuar zhvillimet politike ( dy qeveritë dhe ndasitë brenda LDK-së), ndërmjet dy palë zgjedhjeve.

“Kuptohet nëse shënon rezultat më të mirë se sa në zgjedhjet e fundit, gjë që LDK-së i dëshiroj nga zemra, atëherë të shpërblehen dhe dekorohen kreatorët e këtyre zhvillimeve, e nëse nuk arrihet rezultati i kënaqshëm atëherë mos të shfrytëzohet koalicioni parazgjedhor (me AKR-në) si alibi për mbulimin e mossuksesit, por të vjen në shprehje  përgjegjësia politike”, ka shkruar Demolli.

Ky është postimi i plotë i tij:

Të nderuar miq,

LDK TË GAROJË E VETME NË ZGJEDHJET E SHKURTIT 2021!

Vetëm pak ditë para dorëzimit të listave zgjedhore, në të cilat zgjedhje unë nuk jam i gatshëm dhe i interesuar që të marr pjesë si kandidat për deputet, disa subjekte të vogëla politike janë të interesuara që të bëjnë koalicion me LDK-në, respektivisht që në listën zgjedhore të LDK-së, të fusin numër të caktuar të kandidatëve të tyre.

Pavarësisht kërkesave, dëshirave, interesave dhe ‘lutjeve’ të subjekteve të ofruara për koalicion, mendoj se në zgjedhjet e shkurtit 2021, LDK duhet të garojë si subjekt i vetëm politik, ndër të tjera edhe për këto arsye:

– Votuesi i LDK-së është tejet liberal, që do të thotë se nuk është i kontrolluar dhe ‘dirigjuar’ në mënyrë strikte ( siç i ‘dirigjojnë’ disa parti të tjera), andaj kur në listë të LDK-së do të ketë kandidatë të partive të tjera, ata do të “shpërblehen pa meritë” nga një numër i madh i votuesve të LDK-së. Fatkeqësisht, ne si LDK këtë përvojë jo të mirë e kemi përjetuar në zgjedhjet e vitit 2017, kur nga votuesit e LDK-së, me të madhe janë votuar kandidatët e Alternativës dhe të AKR-së, siç ishte rasti me Mimoza Kusarin, Behxhet Pacollin, Ilir Dedajn, Korab Sejdiun e madje edhe me Labinot Tahirin, që fituan me nga 10-15 mijë vota, e që përndryshe sikurse mos të ishin në listën e LDK-së, vështirë se do të merrnin numër kaq të madh të votave;

– Nëse futen 10-15 kandidatë të partive të tjera në listën e LDK-së, atëherë jashtë kësaj liste do të mbesin 10-15 anëtarë të devotshëm të LDK-së, e një gjë e tillë nuk është e ‘shëndetshme’ për LDK-në, sidomos në kohën e zhvillimeve jo të kënaqshme, kur ish deputetë, asamblistë komunal, aktivistë të degëve dhe nëndegëve të saj po pozicionohen në anën e të ‘pakënaqurve’ të LDK-së. Pra nuk është e drejtë që të futën kandidatët e partive të tjera, të cilët nuk shquhen me ndonjë cilësi politiko-profesionale, që do t’i bënte më të suksesshëm se sa kandidatët e devotshëm të propozuar nga degët e LDK-së. Madje nëse supozohet se secili kandidatë (që do të mbetet jashtë listës së LDK-së) së bashku me familjet, miqtë e tyre do t’i sillte nga 800-1200 vota, kjo nënkupton se në tërësi do të ishin afro 10.000, numër ky që tërë AKR-ja nuk e ka. Pra ndaj anëtarit të devotshëm të LDK-së, udhëheqësia e saj mirë është të veprojë sipas fjalës së urtë popullore ‘të huajin respektoje, ndërsa tëndin duaje dhe nderoje.’

– Gjatë zgjedhjeve të vitit 2017, kur ishim në koalicion me AKR-në dhe Alternativën, barrën kryesore të organizimit të tubimeve elektorale e kanë bartur strukturat e LDK-së në tërë Kosovën, ndërsa kandidatët e partive të koalicionit (AKR-së, Alternativës) në tubime vinin “me duar në xhepa”, ishin të privilegjuar sikurse në rezervimin e ulëseve në radhët e para ashtu edhe në fjalimet e tyre para elektoratit, që 99% ishte i LDK-së. Madje gjatë fjalimeve të tyre ‘përbetoheshin’ në kokën e presidentit Rugova duke u bërë më rugovistë, se sa ne kandidatët e LDK-së, kështu me fjalime të tyre populliste, orvateshin të manipulonin dhe sjellin në lajthitje simpatizuesit e LDK-së. E madje në disa tubime elektorale ( si në Kaqanik, Ferizaj etj.) kishte edhe kandidatë të tillë të tyre, që ja ‘thonin’ ndonjë kënge tallava, sepse partitë e tilla edhe përbëhen prej ‘tallava kandidatëve’;

– Jo vetëm kaq, por pas përfundimit të votimeve, derisa vazhdonte procesi i rinumërimit dhe certifikimit të votave, përfaqësuesi i AKR-së doli me deklaratën, se AKR është dashur të ketë më shumë se katër deputetë në Kuvend, por LDK-ja ia kishte vjedhur votat kandidatëve të tyre. Kjo tregon se ata nuk i besojnë LDK-së, andaj si mund të krijohet koalicioni respektivisht të dilet me listë të përbashkët zgjedhore, me ata që nuk na besojnë, ndërsa në zgjedhjet e fundit sllogani ynë ishte ‘beso’.

– Pas certifikimit të rezultateve zgjedhore të vitit 2017, kur filluan negociatat ndërmjet partive parlamentare për krijimin e qeverisë, në vend që LDK-ja të ishte faktor i rëndësishëm në këto negociata, përnjëherë AKR-ja, i tërhoqi deputetët e saj nga Grupi parlamentar i LDK-së dhe filluan të shantazhojnë respektivisht të dërgojnë ultimatume në adresë të LDK-së. Ultimatume të natyrës “nëse nuk deklaroheni edhe gjatë kësaj jave, ne hyjmë në koalicion me PAN-in”, dhe vërtetë kështu edhe ndodhi, AKR-ja e cila kishte hy në Kuvend me votën e elektoratit të LDK-së, hyri në koalicion me PAN-in, duke bërë një “pazarllëk’ të shkëlqyeshëm politik dhe atë, me vetëm dy (më vonë një) deputetë ‘fitoi’ për vete gjashtë poste ministrore ( një zëvendëskryeministër dhe pesë ministri). Në këtë mënyrë AKR-ja, në njërën anë përjashtojë mundësinë e krijimit të koalicionit qeveritar LDK-VV (që pas atyre zgjedhjeve ishte koalicioni i dëshiruar nga shumica e qytetarëve të Kosovës) dhe në anën tjetër e defaktorizojë politikisht LDK-në, pra thjesht e “shtriu për toke”;

– Po ashtu duhet theksuar, se në po të njëjtin vit (2017) në zgjedhjet komunale për Prishtinën, anëtarët, struktura dhe simpatizantët e AKR-së u radhitën në krahun e Shpend Ahmetit të VV-së, duke ndihmuar që ai të fitojë garën zgjedhore kundër Arban Abrashit që ishte kandidat i LDK-së. Me e keqja e tërë kësaj ishte se Arbani në këto zgjedhje humbi garën për vetëm 300-400 vota, që do të thotë se sikurse mos ta ndihmonte AKR-ja Shpendin, ai kurrsesi nuk do të mund ta mposhte Arbanin;

– Një argument tjetër kundër koalicionit LDK-AKR, është fakti se kur shikohen dhe krahasohen rezultatet e LDK-së në të gjitha zgjedhjet nacionale, atëherë shihet se numrin më të vogël të deputetëve në Kuvend dhe atë vetëm 22 deputetë, e ka pasur, pikërisht në legjislaturën e gjashtë ( të vitit 2017), pas zgjedhjeve në të cilat ishte në koalicion me AKR-në;

– Andaj pasur parasysh faktet e lartë theksuara, si dhe rrjedhat e kohëve të fundit brenda LDK-së, jam i mendimit që LDK-ja në zgjedhjet e shkurtit 2021 duhet të garojë e vetme, pra duhet të dalë si e vetme që të matet në ‘peshoren zgjedhore’, për të parë se sa kanë ndikuar zhvillimet politike ( dy qeveritë dhe ndasitë brenda LDK-së), ndërmjet dy palë zgjedhjeve. Kuptohet nëse shënon rezultat më të mirë se sa në zgjedhjet e fundit, gjë që LDK-së i dëshiroj nga zemra, atëherë të shpërblehen dhe dekorohen kreatorët e këtyre zhvillimeve, e nëse nuk arrihet rezultati i kënaqshëm atëherë mos të shfrytëzohet koalicioni parazgjedhor (me AKR-në) si alibi për mbulimin e mossuksesit, por të vjen në shprehje përgjegjësia politike.