Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Albin Kurti premton mbështetje për fëmijët dhe familjet me të ardhura të pakta vjetore

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti ka treguar çfarë mbështetje do të kenë fëmijët nën qeverisjen e tij dhe të ekipit të tij.

Sipas Kurtit, fëmijët do të kenë mbështetje monetare në bazë të moshës që do ta kenë dhe në bazë të familjeve dhe të ardhurave të tyre.

“20 euro në muaj për fëmijët deri në 2 vjeç, 10 euro në muaj për fëmijët deri në 16 vjeç, familjet me të ardhura vjetore deri në 7 mijë euro të do t’i mbështesim me 50 euro për fëmijë, familjet me të ardhura vjetore deri në 6 mijë euro do t’i mbështesim me 100 euro për fëmijë, familjet me të ardhura vjetore deri në 5 mijë euro do t’i mbështesim me 150 euro për fëmijë”, ka premtuar Kurti në DebatPernime.

Albin Kurti së bashku me ekipin e tij, Glauk Konjufca, Arben Vitia, Hekuran Murati, Albulena Haxhiu, Arbërie Nagavci, Fitore Pacolli, Jeta Statovci, Mimoza Kusari, Rozeta Hajdari nga Lëvizja Vetëvendosje, sonte janë të ftuar në #DebatPernime.

Cila është oferta e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 14 shkurtit?

Cilat janë planet e Albin Kurtit dhe ekipit që ai i udhëheq për luftimin e korrupsionit?

A do të jetë kryeministër ai pas zgjedhjeve të 14 shkurtit?

Siç dihet, Kurti nuk është certifikuar në listën e Vetëvendosjes nga ana e KQZ-së, pas vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës ai mbeti përfundimisht jashtë listës së votuesve.

Mirëpo, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka dorëzuar KQZ-së, listë të re edhe pas vendimit të Supremes, duke e lënë kështu listën e njëjtë.

Cikli i #DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.