Foto: Ambasada e Shqipërisë në Kosovë/Facebook

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë uron Kurtin për fitoren në zgjedhje

Pas fitores në zgjedhjet e 14 shkurtit, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Në njoftimin e Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë thuhet se ambasadori Minxhozi e ka përgëzuar Kurtin për fushatën e qetë zgjedhore, procesin e lirë dhe demokratik zgjedhor, pa incidente, si dhe fitoren e arritur në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e rritjes dhe thellimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, në të gjitha fushat e bashkëpunimit”, thuhet në njoftim.

Nga ana tjetër Kurti ka bërë thirrje për bashkëpunim mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës për kapërcimin e barrierave dhe burokracive për ndërtuar marrëdhënie model të bashkëpunimit në rajon, veçanërisht në fushën e ekonomisë.

“Dhe për këtë ai shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e tij të plotë në funksion të realizimit të këtij qëllimi”, përfundon njoftimi i Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë.

Fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Kosovë e kanë uruar dhe përshëndetur edhe liderët e Shqipërisë, një ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme.