Albin Kurti dhe Milot Cakaj Fotografia me 20 mars 2020

Ish-këshilltari i kryeministrit Kurtit emërohet zëvendësguvernator i BQK-së

Ish-këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, Milot Cakaj është emëruar zëvendësguvernator i Bankës Qendrore të Kosovës nga bordi i këtij institucioni.

Ish-këshilltari i kryeministrit Kurti gjatë qeverisë së tij të parë, do të jetë përgjegjës primar për fushën e Mbikëqyrjes Financiare, Praktikat e Tregut, Rishqyrtimin dhe Shërbimet e Përgjithshme.

Me emërimin e tij dhe të Nesrin Shileku – Shala në pozitën e zëvendësguvernatorëve, BQK kishte njoftuar se kanë kompletuar bordin ekzekutiv.

Banka Qendrore e Kosovës në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se sipas CV-së së Cakajt rezulton se pozitën e Këshilltarit të Kryeministrit e ka ushtruar në periudhën mars 2020 – qershor 2020.

“Lidhur me Z. Cakaj, në bazë të CV-së rezulton se pozitën e Këshilltarit të Kryeministrit e ka ushtruar në periudhën mars 2020 – qershor 2020. Kjo megjithatë nuk ka përbërë asnjë pengesë ligjore në bazë të legjislacionit në fuqi për emërimin e tij në këtë pozitë”- thuhet në përgjigjen e BQK-së për KALLXO.com.

BQK nuk ka komentuar lidhjet dhe të kaluarn politike të Milot Cakajt, duke shtuar se emërimi i tij është në pajtim me ligjin.

“Ne nuk mund të komentojmë deklarata të tilla, por ju sigurojmë se BQK-ja është e përkushtuar dhe siguron që askush nuk mund të ushtrojë funksion nëse nuk është në pajtim me kërkesat ligjore për të qenë i përshtatshëm dhe i duhur në kuptim të Ligjit të BQK-së dhe kërkesave që rrjedhin nga aktet e brendshme” – kanë thënë nga BQK për KALLXO.com

Milot Cakaj ishte emëruar këshilltar i Albin Kurtit më 20 mars 2020, në kohën kur ai drejtonte qeverinë e tij të parë.

Cakaj dhe Kurti kishin punuar së bashku edhe në shekullin e kaluar. Ata kishin qenë së bashku pjesë e kabinetit të përfaqësuesit politik të UÇK-së, Adem Demaçi.

Sipas njoftimit të emërimit të Cakajt, këshilltar i Kurtit, ai thuhej se kishte qenë edhe anëtar i Këshillit Organizativ të protestës së 1 tetorit të 1997,

Në po këtë njoftim të ZKM-së në mars të 2020, figuronte që Milot Cakaj kishte punuar mbi 7 vjet në Korporatën Energjetike të Kosovës.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të zëdhënësit të Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka për të pyetur nëse Cakaj ka qenë pjesë e Vetëvendosjes, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.

Pyetje janë dërguar edhe në adresë të kryeministrisë për kohën e shërbimit si këshilltar politik të Cakajt, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.

Në krye të bordit të BQK-së është Bashkim Nurboja, ish kandidat i LVV-së për kryetar të Pejës dhe më pas edhe kandidat për deputet.

Nurboja ka qenë zëvendësministër në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal në Qeverinë Kurti I, në periudhën prill-qershor të vitit 2020.