Isa Mustafa takon ambasadorin O'Connell

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa sot ka pritur në takim lamtumirës Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell.

Sipas një njoftimi të kësaj partie,  O’Connell e uroi mbylljen e procesit zgjedhor në LDK dhe uroi kryetarin Mustafa për rizgjedhjen e tij në krye të LDK-së.

Ndërkaq, Mustafa e njoftoi ambasadorin britanik për qëndrimin e LDK-së në lidhje me situatën aktuale politike në Kosovë.

“Po ashtu falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës. Gjatë takimit u diskutua për mbështetje dhe bashkëpunim të mëtutjeshëm në veçanti në luftën kundër korrupsionit, zhvillimin ekonomik, politik dhe arsimor”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe zyrtarët e LDK-së, Agim Veliu, Ismet Beqiri, Besian Mustafa dhe Bajram Gecaj.