IPK jep detaje për arrestimin e policit në Obiliq

Një zyrtar i Policisë së Kosovës është arrestuar nga Inspektorati Policor i Kosovës nën dyshimin se ka goditur me veturë një fëmijë 10-vjeçar në Obiliq.

Siç mësohet, i mitur ka marrë lëndime trupore e më pas ai është dërguar për tretman mjekësor.

Aksidenti ka ndodhur gjatë kohës sa polici ishte jashtë detyrës zyrtare dhe i njëjti ishte me veturë private.

IPK përmes një komunikate për media ka dhënë detaje për rastin në fjalë, duke njoftuar se hetuesit e Inspektoratit të hënën, në orët e mbrëmjes kanë pranuar një informacion nga Policia e Kosovës lidhur me këtë aksident trafiku.

Në njoftim u tha se hetuesit me të pranuar informacionin kanë filluar të ndërmarrin veprimet fillestare hetimore në koordinim me prokurorin kujdestar.

“Sipas hetimeve fillestare, aksidenti është raportuar të ketë ndodhur dje, më 22 janar 2024 rreth orës 17:00 në rrugën “Hasan Prishtina” në Obiliq dhe dyshohet se drejtuesi i automjetit ka goditur këmbësoren, e cila në ato momente kishte qenë duke e kaluar rrugën” – thuhet në komunikatën e IPK-së.

Tutje u tregua se pasi që ka ndodhur aksidenti, vozitësi ka dërguar për tretman mjekësor të lënduarën në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Obiliq, e më pas nga stafi mjekësor e njëjta është dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

“Pas veprimeve hetimore, me dyshimin se ka kryer veprën penale “Rrezikimi i Trafikut Publik” nga IPK është arrestuar i dyshuari, zyrtari policor ndaj të cilit prokurori ka lëshuar aktvendim për ndalim për 48 orë” – theksoi IPK.

Po ashtu u tha se si pjesë e procedurës administrative hetimore zyrtari policor është suspenduar nga puna.

IPK tregoi se veprime të tjera do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente

Arrestohet një polic, dyshohet se goditi me veturë një fëmijë