Foto: IPK/Facebook

IPK i quan "të pavërteta dhe tendencioze" akuzat nga “Demokracia Serbe” për fshehjen e mbi 30 ankesave

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) hedh poshtë e madje i quan të pavërteta dhe tendencioze akuzat e subjektit “Demokracia Serbe”, të cilët kanë pretenduar se janë fshehur mbi 30 ankesa të paraqitura nga ky subjekt.

IPK sqaron se në periudhën gjashtë mujore të vitit 2025 janë pranuar dhe trajtuar gjithsej 38 ankesa nga qytetarët e komunave veriore të Kosovës.

“Çdo rast që pranohet regjistrohet zyrtarisht, trajtohet në përputhje me mandatin ligjor dhe hetohet në mënyrë profesionale, objektive dhe të pavarur, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, politike apo sociale të ankuesit”- thuhet në njoftimin e IPK-së të datës 09.09.2025.

Rastet kur janë konstatuar si elemente të veprës penale, IPK thonë se e kanë njoftuar Prokurorinë Kompetente.

Kurse në rastet e dyshimeve për shkelje administrative janë përcjellur për trajtim displinor në Policinë e Kosovës.

Për secilën nga këto, IPK bazuar në obligimet ligjore thotë se njofton palët për statusin e ankesave të tyre dhe të njejtën gjë potencojnë se e kanë praktikuar edhe me “Demokracinë Serbe”.

Në takimet e perbashkëta të IPK-së me qytetarë e organizata në Mitrovicë të Veriut, në njoftim thuhet se janë dhënë shpjegime për mënyrën se si trajtohen ankesat e qytetarëve duke publikuar edhe raporte të veçanta lidhur me të gjeturat e hetimit për pesë vitet e fundit.

Ndërsa sa i përket akuzave se “IPK mban anën e Policisë”, Inspektorati i mohon duke thënë se është institucion i pavarur, multietnik dhe i mbështetur në standardet ndërkombëtare, i cili nuk ndikohet dhe trajton me paanshmëri çdo rast duke kërkuar llogaridhënie nga Policia e Kosovës bazuar në mandatin ligjor.

“IPK inkurajon të gjithë qytetarët, pa dallim komuniteti, të paraqesin ankesat e tyre pranë zyrave tona dhe siguron opinionin publik se çdo rast trajtohet me seriozitet, profesionalizëm dhe paanshmëri”- përfundojnë nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Më 07.09.2025, “Demokracia Serbe” kishte shkruar në profilin e tyre në Facebook një reagim me titullin “Inspektorati Policor fsheh më se 30 ankesa të “Demokracia Serbe” ndaj punës së Policisë së Kosovës “.

Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të partisë “Demokracia Serbe”:

Inspektorati Policor fsheh më se 30 ankesa të “Demokracia Serbe” ndaj punës së Policisë së Kosovës 

Demokracia Serbe është njoftuar me email nga Institucioni i Avokatit të Popullit se “është informuar se në IPK, respektivisht në Departamentin për Hetime, nuk është pranuar zyrtarisht asnjë ankesë nga personat e përmendur në ankesën e dorëzuar Avokatit të Popullit nga Demokracia Serbe” (bashkëngjisim të gjithë emailin e Avokatit të Popullit).

Megjithatë, anëtarët tanë Ivan Orlović, Stefan Veljković, Zoran Obrenović, Aleksandar Lazović dhe Aleksandar Acković kanë dorëzuar ankesa në zyrën e Inspektoratit të Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut menjëherë pas ngjarjeve të 28 qershorit e këndej. Në atë periudhë janë dorëzuar gjithsej 10 deklarata të ndara lidhur me rrëmbimet dhe arrestimet e kundërligjshme të kryera nga Policia e Kosovës në Prishtinë, Vushtrri dhe Mitrovicën e Veriut.

Gjatë dy viteve të fundit, Demokracia Serbe ka dorëzuar më shumë se 30 ankesa në Inspektoratin e Policisë, duke u ankuar për veprimet e kundërligjshme, të dhunshme dhe arrogante të Policisë së Kosovës. Kjo do të thotë se Inspektorati i Policisë së Kosovës po fsheh mbi 30 ankesa që ne kemi paraqitur, gjë që si institucion ia humb çdo kredibilitet në sytë e qytetarëve.

Është interesante se në Inspektoratin e Policisë në Mitrovicën e Veriut kanë refuzuar t’u japin anëtarëve tanë kopjen e deklaratës, përveç në një rast, kur anëtari ynë Aleksandar Lazović ka kërkuar disa herë që t’i jepet një kopje e deklaratës (dhe atë po e bashkëngjisim këtu).

Kërkojmë nga Inspektorati i Policisë që të ndalojë së sjelluri si avokat i Policisë së Kosovës dhe të fillojë ta bëjë punën e vet, ndërsa nga EULEX-i që më në fund të ndalojë së ushqyeri iluzione se krijesa e tij (Policia e Kosovës) është ndonjë entitet i pagabueshëm, por të kuptojë se bëhet fjalë për një makineri monoetnike, ultranacionaliste shqiptare, që punon në dëm të të gjithë qytetarëve që nuk duan të jenë shqiptarë.