Interesim shumë i madh për takimin në Ohër

Takimet maratonike të ditës së sotme kanë përfunduar para pak momenteve kanë njoftuar nga Bashkimi Evropian.

Takimet që nisën qysh në orët e para të mëngjesit u mbajtën në ambientet e një hoteli breg liqenit të Ohrit në Maqedoninë e Veriut.

Interesimi i mediave vendore, atyre serbe e ndërkombëtare ka qenë i madh gjatë gjithë ditës së sotme.

Takimi i nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë i ftuar nga Bashkimi Evropian po mbahet për herë të parë në një vend fqinjë të të dy vendeve, Maqedoninë e Veriut.

Ndonëse interesimi i mediave dhe publikut ka qenë i madh gjatë tërë ditës, informacionet kanë munguar, kjo për shkak t mbylljes së palëve brenda dhomës ku kanë negociuar, pavarësisht dy pauzave të gjata.

Takimet e delegacionit kosovarë nisën qysh në orët e para të mëngjesit.

Kryeministri Kurti njoftoi përmes një prononcimi të shkurtë më gazetarët se në mëngjesin e sotëm kishte takuar krerët shtetërorë të Maqedonisë së Veriut dhe emisarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Takimi i parë në kuadër të dialogut, ishte ai i përfaqësuesve të lartë të BE-së, Borrell e Lajçak me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, duke vazhduar pastaj me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Pas këtyre takimeve, rreth orës 15:00 nisi takimi i parë trepalësh mes Kurtit e Vuçit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Kur kanë kaluar rreth shtatë orë prej nisjes së takimit, janë njoftuar për dy pauza dhe për dy kthime në tavolinën e negociatave.

Ende nuk ka një konfirmim zyrtar se sa mund të zgjasin bisedimet dhe nëse do të ketë paraqitje para mediave të palëve negociatore apo edhe ndërmjetësuesit.

KALLXO.com do të iu mbajë të informuar për zhvillimet e fundit nga Ohri .

Takimi i Ohrit ishte paralajmëruar më datën 27 shkurt, ku u zhvillua një takim me dakordim për planin franko-gjerman, mirëpo pa marrëveshje të nënshkruar.

Bashkimi Evropian dhe SHBA-të vazhdimisht kanë kërkuar nga palët ta pranojnë planin franko-gjerman, pasi që sipas tyre kjo është një marrëveshje e mirë për të ardhmen e të dyja vendeve.

Përmbajtja e planit franko-gjerman