Institucionet shëndetësore gjatë pandemisë komunikuan me ‘Viber’ për nevojat që patën

Institucionet shëndetësore gjatë kohës së pandemisë kanë komunikuar me anë të aplikacionit ‘viber’ për nevojat që i kanë pasur për personel shëndetësor.

Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, ky komunikim nuk është bërë përmes kanaleve zyrtare ku institucionet duhet të komunikojnë.

“Institucionet shëndetësore kryesisht kanë komunikuar nëpërmes kanaleve jozyrtare siç është përdorimi
i aplikacionit të telefonit ‘viber’ për identifikimin e nevojave për personel shëndetësor dhe gjetjen e mënyrave për plotësimin e tyre në mënyrë të vazhdueshme”, thuhet në raport.

Mungesa e komunikimit formal, sipas Auditorit, në mes të këtyre institucioneve shëndetësore ka ndikuar edhe në mangësi lidhur me koordinimin e vazhdueshëm dhe dokumentimin e këtij procesi lidhur me menaxhimin e personelit shëndetësor gjatë pandemisë.

“Si pasojë e mungesës së një komunikimi të rregullt formal për identifikimin e nevojave dhe gjetjes së mënyrës për plotësimin e këtyre nevojave, disa spitale/klinika COVID-19 kanë pasur numër më të madh të personelit shëndetësor në raport me numrin e pacientëve të trajtuar në raport me spitale/klinika tjera’, thuhet në raport.

Auditori shton në raport se spitalet rajonale si dhe Klinika Infektive e QKUK-së disa herë kanë kërkuar personel shtesë për të menaxhuar numrin në rritje të pacientëve të infektuar me COVID-19.

“Bazuar në rritjen e nevojave për personel shëndetësor shtesë për t’u përballur me pandeminë, MSh-ja kishte rekrutuar një numër prej 375 personel shëndetësor përmes projektit të Bankës Botërore dhe një numër tjetër përmes kontratave të përkohshme”, thuhet më tej në këtë raport.