Infermierë e punëtorë shëndetësorë nuk pajtohen me koeficientin në Ligjin e ri të Pagave

Infermierë, punëtorë të administratës, punëtorë teknikë, e punëtorë të tjerë të tri niveleve shëndetësore u bënë sot bashkë për të protestuar para Administratës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Pakënaqësitë e tyre lidhen me ligjin e ri të pagave dhe me koeficientin e ri. Sipas tyre shtesat e pagave siç janë shujta, rrezikshmëria e stazhi i punës janë përgjysmuar ose hequr fare.

Ankesë tjetër e tyre është edhe klasifikimi, sipas tyre i gabuar i pozitave.

Xhemajl Selmani, Kryetari i Shoqatës Sindikale të QKUK-së, i cili ka thirrur këtë protestë, tha se shumë profesionistë të certifikuar paguhen si punëtorë të tjerë.

Ai cilësoi si kapakun e pakënaqësisë së tyre, uljen e pagave të administratës së sistemit shëndetësor.

“Kjo katrahurë nuk na çon në ngritjen e nivelit dhe cilësisë së shërbimit shëndetësor, por drejt shthurjes së tij” – shtoi ai.

Për gjithë këto kërkesa, ata i bënë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë që të veprojë në ndryshimin e gjendjes. Në të kundërtën, protestuesit u zotuan se do të vazhdojnë të protestojnë e t’i shprehin pakënaqësitë e tyre.

“Menaxhmenti i QKUK-së e ka formuar një komision për rregullimin e kualifikimeve, pozitave në të cilat kanë shkaktuar shumë probleme. Realisht janë duke punuar shumë punonjës si të pa certifikuar” – tha Selmani për KALLXO.com.

Ai tha se tani është hequr shujta e cila ka pasur vlerën 45 euro në muaj dhe stazhi paguhet përgjysmë më pak.

Ndërkaq, për kujdestaritë, Selmani tha se paguhen njësoj sikur gjatë ditëve të punës ashtu edhe gjatë fundjavës e festave. Sipas tyre, kjo duhet të ndryshojë.

Qemajl Krasniqi, kishte ardhur si përfaqësues nga Oda e Infermierëve të Kosovës për të shprehur mbështetjen ndaj kërkesave të protestuesve.

Pjesë të protestës ishin edhe përfaqësues nga institucione shëndetësore të komunave të tjera të Kosovës, si Qendrat Kryesore të Mjekësive Familjare në Klinë, në Fushë Kosovë, në Lipjan.

Ndërkaq, u tha se nga Spitali i Gjakovës, ndonëse nuk kanë mundur të vijnë, kanë informuar se mbështesin këto kërkesa.

“Menaxhmenti i QKUK-së e ka formuar një komision për rregullimin e kualifikimeve, pozitave në të cilat kanë shkaktuar shumë probleme. Realisht janë duke punuar shumë punonjës si të pa certifikuar” – tha Selmani për KALLXO.com.

Shërbimi i Ortoprotetikës në QKUK kishte edhe ankesa të tjera.

Shaip Loshi tha se stafit të këtij shërbimi ndonëse licencohen nga Oda e Infermierëve, nuk i njihet statuti si profesionistë shëndetësorë, por vetëm si shërbyes teknikë siç tha ai, ndryshe nga shtetet e rajonit dhe të Bashkimit Evropian, bazuar edhe në standardet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Shoferët e autmoabulancave, Ilir Bytyqi, Nuzedin Bekteshi e Agim Ejupi, që kishin ardhur nga Prizreni, Gjakova e Rahoveci për të marrë pjesë në këtë protestë, thanë se koeficienti i tyre ka rënë nga 4.8 në 3.8.

Ata kërkojnë që minimumi të jetë 6, duke thënë se puna e tyre ka përgjegjësi të madhe, pasi që kanë në automjete të sëmurët, mjekët e infermierët. Ata cekën edhe mos pagesën e rrezikshmërisë në punë.

Në këtë protestë, u bë e ditur edhe shkëputja e Shoqatës Sindikale të QKUK-së nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës.

“Kemi ndarë rrugën nga FSHK, e cila me miratimin e heshtur të kësaj situate të krijuar, e ka humbur legjitimitetin e përfaqësimit të interesave të punonjësve shëndetësorë” – tha gjatë fjalimit ë tij, Xhemajl Selmani.

Ai shtoi se kjo federatë e ka dëmtuar rëndë organizimin sindikal dhe prandaj tha se mbi dhjetë njësi sindikale kanë hedhur themelet e krijimit të një strukture të re organizative.

Agron kryeziu, nënkryetar i Shoqatës Sindikale të QKUK-së tha për KALLXO.com se ky vendim ka ardhur pasi që sipas tij, FSShK si partnere në dialogun social me qeverinë nuk ka mbrojtur të drejtat e punonjësve shëndetësorë, por ka shikuar pozitat dhe rrogat e veta.