Incidenti i dyshuar mes kolegëve në Spitalin e Gjilanit, dërgohet në mbajtje kirurgu

Prokuroria e Gjilanit ka dërguar në mbajtje kirurgun Luan Mustafa, i cili dyshohet se gjatë ditës së djeshme kishte sulmuar fizikisht kolegun e tij A.M. derisa ky i fundit ishte në zyrën e tij në Repartin e Kirurgjisë.

Për këtë sulm të pretenduar, i dëmtuari ka pranuar tretman mjekësor.

“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, e ka ndaluar të dyshuarin L.M., në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit se në Spitalin e Gjilanit ka kryer veprën penale ‘’Lëndimi i lehtë trupor’’” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Kallxo.com

Kjo prokurori ka njoftuar se brenda afatit ligjor do të vendosë lidhur me masën për sigurimin e të pandehurit në procedurë penale.

Rasti është duke u trajtuar si – lëndim i lehtë trupor.

Nga të dhënat e Policisë mësohet se i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes, kurse pas arrestimit është dërguar në mbajtje për 48 orë, kurse lidhur me rrethanat e rastit Policia është duke vazhduar hetimet.