Klinika Infektive QKUK - FOTO KALLXO - Mars 2020

Impakti - pas interesimit të KALLXO.com, 19 vjeçarja fillon trajtimin në Klinikën Infektive

KALLXO.com sot paradite ka qenë në oborrin e Klinikës Infektive, për të parë se si është gjendja aty dhe për të biseduar me qytetarët apo familjarët e pacientëve të infektuar me coronavirus e të cilët janë duke u trajtuar në këtë klinikë.

Gjatë kohës sa KALLXO.com ka qenë duke qëndruar në oborrin e kësaj klinike një qytetar, e cila për çështje të sigurisë deshi të mbetet anonim, ka shprehur shqetësimin se askush nga stafi shëndetësor në këtë klinikë nuk e kanë thirr për kontroll vajzën e saj 19 vjeçare, e cila është e infektuar me COVID-19 e gjendja e saj nuk ishte e mirë.

Duke mos dashur të dal para kamerës, ajo tha për KALLXO.com se ka tre orë që është duke u endur nga Klinika Infektive në atë të ORL-së, pasi që nga sot edhe kjo klinikë do të trajtojë pacientë me coronavirus, por askush nuk e kontrollonte.

“Qe tri orë bre jom ka pres qetu. Fola me mjekë më thanë shko te ORL prej ORL-së më thanë hajde apet qetu (në Infektivë)”, u shpreh H. J.

Mirëpo, pas intervistës së dhënë për KALLXO.com, gjendja ndryshoi për të mirë. Stafi shëndetësor në këtë Klinikë e thirrën për kontroll 19 vjeçaren e infektuar me coronavirus.

Lajmin për impaktin e KALLXO.com e bërë të ditur nëna e vajzës.

Pak minuta pasi ekipi i KALLXO.com u largu nga Infektiva, prindi i vajzës telefonoi dhe tregoi se vajza e saj tashmë është kontrolluar nga stafi shëndetësor në këtë klinikë.

“E kontrollun çikën menjhërë si më panë t’u fol me juve, menjëherë më kanë thirr”, tha prindi i 19 vjeçares.

Në Klinikën Infektive sot janë duke u trajtuar 115 pacientë të infektuar me coronavirus.
Përveç Infektivës pacientë me coronavirus janë duke trajtuar edhe Mjekësia Sportive, në të cilën janë 107 pacientë, Klinika Infektive III ( Interno) janë 87 pacientë, Klinika e Pulmologjisë ka 88 pacientë, Mjekimi Intensiv 19 pacientë, Klinika e Gjinekologjisë 17 pacientë si dhe Klinika e Pediatrisë 5 pacientë.

Në total, duke përfshirë edhe shtatë spitalet rajonale, janë duke u trajtuar 1,220 pacientë. 1 mijë e 51 prej tyre janë me oksigjeno – terapi si dhe 59 janë në gjendje të rëndë.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se nga të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike 22 qytetarë me COVID-19 kanë vdekur gjatë 24 orëve të fundit ndërsa 1 mijë e 894 kanë rezultuar të infektuar me SARS-CoV-2.