Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, Foto: EPA/Malton Dibra

Ilir Meta kundër ndryshimit të kufijve

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta është shprehur kundër ndryshimin të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Meta thotë se dialogu Serbi-Kosovë është ndërtuar jo për të ndryshuar realitetin, por për të udhëhequr procesin e pranimit të tij, në emër të paqes e stabilitetit. Ai është parakusht për integrimin evropian të dy vendeve.

“Çdo diskutim dhe debat që ndihmon në kuptimin dhe pranimin e këtij realiteti është i mirëpritur. Çdo devijim nga ky realitet, përveçse provokon emocione dhe retorika populiste, nuk sjell dobi”, tha presidenti shqiptar në një intervistë për “Albanian Daily News”.

Sipas Metës, Ballkani ka pësuar transformime të thella në dy dekadat e fundit në të cilat janë investuar seriozisht SHBA dhe BE-ja.

“Një nga investimet më të mëdha dhe të suksesshme ka qenë Pavarësia e Kosovës dhe në vijimësi vendosja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve dhe të stabilitetit, paqes dhe sigurisë afatgjate në rajon”, shton më tej ai.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kanë thënë se më 7 shtator të këtij viti, kur edhe vazhdon dialogu në Bruksel, do të synojnë marrëveshjeve mes dy vendeve ku përfshihet edhe korrigjimi i kufijve.

Sipas Metës, një marrëveshje mes dy shteteve duhet të jetë pozitive.

“Marrëveshja që mendohet të arrihet sot mes palëve është e rëndësishme të çlirojë energji pozitive, të ndihmojë frymën e bashkëjetesës dhe harmonisë dhe të shërojë ndjenjën e urrejtjes të mbjellë nga e kaluara dhe historia”, tha ai.

Sipas Metës, debati për korrigjim të kufijve nuk duhet të sjellë pasiguri të qytetarët.

“Është jetike që jo vetëm të mos rikthehen më kurrë pamje të shpërnguljes ose lëvizjes me dhunë të familjeve, qofshin këto serbe apo shqiptare, por edhe asnjë familje e vetme nuk duhet të mendojë shpërnguljen për shkak të pasigurisë që sjell debati i ndryshimit të kufijve”, shprehet presidenti.

Sa i përket rolit të Shqipërisë në këtë Sa i përket rolit të Shqipërisë në këtë çështje, Meta thotë se shteti shqiptar mbetet mbështetëse e dialogut Kosovë-Serbi.

Shqipëria gjithmonë ka qenë dhe mbetet një mbështetëse e fortë e procesit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE dhe mbështetur nga SHBA dhe përfundimi i këtij dialogu duhet ta bëjë rajonin më të qetë dhe qytetarët tanë më të sigurt për të ardhmen e tyre. Për Shqipërinë është i një rëndësie të veçantë respektimi i parimeve bazë të sanksionuar në Kartën e Helsinkit dhe të Parisit të OSBE për sigurinë në Europë, veçanërisht parimi i mos-ndryshimit të kufijve”, tha ai gjatë intervistës.

Nga marrëveshja që mund të arrihet në Bruksel, Meta thotë se Serbia fiton të ardhmen e saj evropiane.

Për të ardhmen e Kosovës, Presidenti shqiptar shton se Shqipëria është krenare që ka kontribuar për të arriturat e Kosovës.

Ndërsa lidhur me qëndrime e Bashkimit Evropian për çështjen e kufijve, Meta thotë se modeli dhe parimet e bashkëjetesës, harmonisë dhe paqes mes vendeve të Bashkimit Evropian është modeli i shkrirjes dhe zhdukjes së kufijve shtetërorë, veçanërisht atyre etnikë.

“Kështu e shikoj edhe unë procesin e integrimit të rajonit tonë në BE: drejt bërjes të parëndësishëm të kufijve dhe jo drejt imponimit të kufijve të rinj. Çdo tentativë për të imponuar modele të ndryshimit të kufijve, jo vetëm do të cenonte stabilitetin e rajonit por do të vinte në rrezik edhe frymën dhe parimet e BE-së për të cilat ajo është investuar nga themelimi i saj deri sot”, tha presidenti shqiptar.

Presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq do të takohen në Bruksel me 7 shtator të këtij viti.

Ndërsa, para disa ditësh të dy presidentët gjatë pjesëmarrjes në Forumin Evropian në Alpbach të Austrisë kanë thënë se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë do të përfshijë edhe korrigjimin e kufirit.