Foto: KALLXO.com

I ngritet aktakuzë pasi kanosi policët që ia arrestuan shokët

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit H. Sh. nën dyshimin për pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës.

Prokuroria ka njoftuar se sipas aktakuzës, i pandehuri H. Sh., pasditen e djeshme, me një kanosje serioze ka penguar tre zyrtar policor në kryerje të detyrës zyrtare.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri H. Sh., dje rreth orës 16:00, në rrugën “Nora Kelmendi” në Prizren, me kanosje serioze, ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, pasi që zyrtarët policor N. B., V. K., dhe J. R, gjatë patrullimit ndalojnë veturën e markës “Mercedes Benz”, në të cilën gjatë kontrollimit arrestojnë dy persona të dyshuar B. Sh., dhe S. R., për armëmbajtje pa leje”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Sipas aktakuzës në ato momente në vendngjarje kalon i pandehuri H. Sh., dhe kërkon sqarime nga zyrtarët policorë për arrestimin e dy shokëve të tij.

“ Të njëjtit, i tërhiqet vërejtja dhe urdhërohet që të largohet dhe të mos pengoj zyrtarët policorë, por edhe përkundër kësaj, i pandehuri nuk i zbaton urdhërat dhe vazhdon t’i kanosë me fjalë zyrtarët policorë. Pas fjalëve kanosëse, zyrtarët policorë të njëjtin e arrestojnë, ku gjatë kontrollimit tek i njejti gjejnë një mjet të mprehtë – brisk, të cilin e mbante me vete”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prizren.

Sipas njoftimit, me këto veprime, i pandehuri H. Sh., ka përmbushur elementet e veprës penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cilat i vihet në barrë.​