Foto: Pixabay

I dyshuari për vrasjen e 10 personave në Los Angeles dyshohet se vrau veten derisa po i afrohej Policia

Një 72-vjeçar u gjet i vdekur pas një përplasjeje me policinë dhe është konfirmuar si personi i dyshuar për të shtënat masive vdekjeprurëse në Monterey Park, Kaliforni të shtunën mbrëma.

Ai dyshohet se hapi zjarr në një studio vallëzimi, duke i vrarë 10 persona dhe duke plagosur 10 të tjerë, ndërkohë që komuniteti i madh aziatik amerikan i qytetit po festonte fundjavën e Vitit të Ri Hënor.

I dyshuari, që dyshohet se u vetëvra, i identifikuar si 72-vjeçari Huu Can Tran, ndodhej në qytetin e afërt të Torrance, ku vdiq pasi dyshohet se qëlloi veten ndërkohë që policia iu afrua automjetit të tij, tha të dielën sherifi i kontesë së Los Angelesit, Robert Luna.

I dyshuari Tran besohet gjithashtu të jetë personi i armatosur i cili u çarmatos nga një grup njerëzish në një studio vallëzimi në Alhambra, Kaliforni, menjëherë pas të shtënave masive në Monterey Park aty pranë. Dëshmitë e gjetura në furgonin e ngarkesave e lidhin Tran me skenat e Alhambra dhe Monterey Park, sipas sherifit Luna.

Presidenti amerikan Joe Biden i ka ofruar ngushëllimet e tij për viktimat pas të shtënave masive dhe urdhëroi që flamujt të valonin në gjysmë shtizë në Shtëpinë e Bardhë dhe ndërtesa të tjera federale.

Që nga 1 janari i këtij viti ka pasur të paktën 36 të shtëna masive në Shtetet e Bashkuara sipas organizatës jofitimprurëse Gun Violence Archive./CNN