I armatosur ujiste bimët narkotike, Policia e Shtetit publikon pamjet

Një 51 vjeçar është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit nën dyshime për kultivim të lëndëve narkotike, posedim e prodhim të armëve në Shkodër.

Pamjet të cilat ka publikuar Policia e Shtetit shfaqin 51 vjeçari i cili në mënyrë të armatosur me nj armë të gjatë në shpatull shihet deri sa ujit bimët narkotike të mbjella në Malësi të Madhe.

Ai ishte filmuar nga pajisjet inteligjente të Policisë së Shtetit.

“Gjatë operacionit u vunë në pranga 3 shtetas, për kultivim të bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim, për përkrahje të autorit të krimit dhe për moskallëzim krimi”- thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Tutje policia ka njoftuar se ka asgjësuar 161 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa.

Në anën tjetër 51 vjecari është shpallur në kërkim dhe sipas policisë po vijon puna intensive për kapjen e tij.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në vijim të kontrollit të territorit dhe të mega operacionit “Alpe të Pastra”, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kutivimit të bimëve narkotike, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, kanë zhvilluar operacionin policor me metoda proaktive, të koduar “ZOOM””- thuhet në njoftim tutje.

Gjatë operacionit të zhvilluar në fshatin Ivanaj, njësia administrative Kastrat, bashkia Malësi e Madhe, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit, Gj. D., 51 vjeç, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, F. Gj., 35 vjeç, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, dhe “Përkrahja e autorit të krimit si dhe L. Gj., 70 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Bazuar në informacionet e siguruara se në territorin e fshatit Ivan, në një zonë të pyllëzuar, ishin kultivuar bimë narkotike, Policia referoi materialet në Prokurori, e cila regjistroi procedimin penal.

Në kuadër të këtij procedimi penal policia ka thënë se u siguruan prova nëpërmjet pajisjeve inteligjente, ku shfaqej shtetasi L. K. (tashmë i shpallur në kërkim), i cili ruante një parcelë ku ishin kultivuar 161 bimë narkotike kanabis dhe vadiste bimët narkotike, në bashkëpunim me shtetasit Gj. D. dhe F. Gj.

Shtetasi L. Gj. kishte dijeni për rastin dhe nuk ka kallëzuar krimin, pasi në pronën e tij kalonte tubi i ujit që përdornin shtetasit e lartpërmendur, për të vaditur bimët narkotike.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, ndërkohë që vijon puna kërkimore për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.