Humbja në Arbitrazh, reagon ish-kryeshefi i Telekomit, Shyqri Haxha

Rreth 13 milionë euro Ndërmarrja Publike “Telekomi i Kosovës” pritet t’i paguaj ndaj kompanisë “Z-Mobile” pasi humbi rastin e dytë në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Mbrëmë në emisionin #KallxoPernime u përmendën disa kontrata, për të cilat u tha se ndikuan që Telekomi të humbë rastin në Arbitrazh.

Ndaj këtyre komenteve ka reaguar ish-kryeshefi i kësaj ndërmarrje publike, Shyqri Haxha.

Ai ka thënë se është shpallur i pafajshëm në qershor të vitit 2013 nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Pjesë e kolegjiumit të trupit gjykues ishin edhe gjyqtarë nga Misioni i EULEX-it në Kosovë.

“Unë padrejtësisht isha akuzuar për nënshkrimin e kontratës së përpiluar nga departamenti legal (udhëhequr nga Genc Lami) dhe aprovuar me vendimin e bordit. Të gjitha këto aktivitete kishin përfunduar para se ne të marrim pozitën e KE-së”, ka thënë ai.

“Fakt ligjor që është dëshmuar nga gjykata e përbërë nga prokurorë, hetues, gjyqtarë vendor e ndërkombëtar, duke përfshirë ekspertë. Këtu dëshmohet se nuk kam bërë asnjë shkelje dhe se të gjithë ata që me apo pa qëllim tentojnë të njollosin emrin tim lidhur me kontratën e “Z-Mobile” do të ballafaqohen me padi”, ka thënë Haxha duke shtuar se “jam i pastër si loti”.

Ai ka thënë se për këtë tashmë ka angazhuar edhe avokatë i cili do të angazhohet që kushdo që ia përmend emrin duke e akuzuar, do të paditet në gjykatë, në Kosovë ose në Britani të Madhe.

Telekomi i Kosovës kishte vendosur që në vitin 2019 të mos vazhdojë kontratën me kompaninë “Z-Mobile”. Sipas ish-kryesues së bordit, Besa Shatri, ajo kontratë i sillte humbje ndërmarrjes nga 10 milionë euro në vit.

 

Shatri: Telekomi nga kontrata me “Z-Mobile” humbte nga 10 milionë euro në vit

www.kallxo.com