Kosova fiton arbitrazhin për hotel 'Victory'

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se pas më shumë se dy vite betejë ligjore si pasojë e nje padie të inicuar nga një person, Republika e Kosovës ka triumfuar në arbitrazh ndërkombëtar.

KALLXO.com merr vesh fjala është për rastin e ish-deputetit të PDK-së, Bedri Selmani, i cili kishte kërkuar 65 milionë euro nga Kosova në Arbitrazhin Ndërkombëtar.

Selmani këto miliona i kërkoi si kompensim për dëmet e pretenduara nga ai për “shpronësimin e investimeve” për hotelin “Victory”, AutoPrishtina – AutoKosova dhe pompat e benzinës “Kosova Petrol”.

“Avokatura Shtetërore në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, në bashkëpunim me firmën ligjore që përfaqëson Republikën e Kosovës në arbitrazh, tashmë kanë filluar hapat e radhës për ekzekutimin e vendimit të arbitrazhit dhe inkasimin e shpenzimeve”, ka shkruar ministrja Haxhiu në rrjetin social “Facebook”.

Rasti ishte dërguar në Arbitrazh nga Bedri Selmani pasi Agjencia Kosovare e Privatizimit e kishte larguar nga pronat shoqërore: Hotel Victory, AutoPrishtina-AutoKosova dhe disa pompa të benzinës “Kosova Petrol” që ishin të shtrira në disa qytete të Kosovës. Largimi nga këto prona është bërë meqë AKP-ja që menaxhon me pronat shoqërore e ka konsideruar uzurpator ish-deputetin e PDK-së, Bedri Selmani.

“Agjencia Kosovare e Privatizimit, në vazhdën e aktiviteteve për lirimin e aseteve të Ndërmarrjeve Shoqërore nga uzurpatorët, sot ndërmori aksionin për lirimin e asetit të Ndërmarrjes Shoqërore “AutoPrishtina”, i njohur si Hotel Victory dhe të disa aseteve të tjera të kësaj ndërmarrjeje”, thuhet në komunikatën e AKP-së të lëshuar me 3 qershor 2016.

Bedri Selmani e ka dorëzuar padinë ndaj Republikës së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Paris të Francës, më 29 prill të vitit 2019.

Qeveria Haradinaj, më 19 korrik 2019, e kishte autorizuar Ministrinë e Drejtësisë që drejtohej në atë kohë nga Abelard Tahirin e PDK-së, për inicimin e procedurave të negociuara pa publikimin të njoftimit për kontratës për përzgjedhjen e përfaqësuesit të autorizuar për mbrojtjen e Kosovës në Arbitrazh ndaj Bedri Selmanit.

Gazeta Jeta në Kosovë raportoi së pari më 9 prill 2012 se Agjencia Kosovare e Privatizimit, përgjegjëse për administrimin e të gjitha ish-ndërmarrjeve shoqërore në vend, e përshkruante Kosova Petrol-in në një raport të vitit 2011 si ndërmarrje okupuese të pronës shoqërore pasi kompania figuronte 23 herë si okupues i pompave të INA-s në pika të ndryshme të vendit. Selmani ishte deputet i PDK-së në periudhën 2001-2004 si dhe përfaqësues për Kroaci i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në vitin 2016, Policia e Kosovës ia ka vënë shiritat hotelit “Victory” dhe ia ka kthyer pronën Agjencisë së Privatizimit. E njëjta e ka nxjerrë në shitje përmes likuidimit ndërmarrjen Auto Prishtina, pjesë e të cilës është edhe hoteli “Victory”, ku tash janë të vendosur Policia e Kosovës.

Vajza e Bedri Selmanit, Mimoza Selmani, si menaxhere e këtij hoteli pati thënë për media se bastisja e hotel “Victory” është bërë pa vendim gjyqësor.